Protesta, Rama: Vijnë nga periferitë e sponsorizohen nga partitë, po ndikohen nga forca të huaja

Ndërsa studentët dhe të rinjtë vijojnë protestat në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e tij, kryeministri Edi Rama ka hedhur sërish akuza për organizimin dhe financimin e tubimeve që prej nëntë ditësh kanë përfshirë kryeqytetin.
Gjatë një takimi me drejtuesit e sistemit bankar në Shqipëri, Rama deklaroi se dhuna e shfaqur gjatë protestave është e orkestruar nga elementë të brendshëm dhe të jashtëm, ndërsa pretendoi se pas saj qëndrojnë edhe forca të huaja që synojnë destabilizimin e Shqipërisë dhe Europës.
Kreu i qeverisë i cilësoi protestat e dhunshme si një përpjekje për të krijuar perceptimin e një përshkallëzimi të situatës në të gjithë vendin. Ai bëri krahasime edhe me protestat në kryeqytete të tjera europiane, duke përmendur lëvizjen Antifa dhe grupe të radikalizuara.
“I rëndësishëm ky takim pas histerisë së dhunës që mori peng Tiranën, duke krijuar në të njëjtën kohë idenë e një përshkallëzimi që mund të merrte para me flakë dhe gurë të gjithë Shqipërinë. Për ne nuk ka asnjë dyshim që është një dhunë e orkestruar nga elementë jashtë dhe brenda. Ndodh edhe në kryeqytetet e tjera të Europës nga Antifa dhe pjesë të tjera të radikalizuara. Ky është vetëm një nga komponentët e dhunës. Vajza e djem të ekstremizuar që ulërasin e bëjnë thirrje si në mesjetë për të burgosur këdo që përfaqëson të keqen sipas tyre. Ana tjetër është komponenti i kriminalitetit i lagjeve dhe periferive që mblidhen me sponsorizimin e partive politike”, u shpreh ai.
Rama pretendoi gjithashtu se këto grupe kanë mbështetje nga jashtë vendit, duke i lidhur zhvillimet në Shqipëri me përpjekje më të gjera për destabilizimin e Europës.
“Të gjitha pastaj kanë mbështetje të jashtëzakonshme dhe të provuar nga forcat e huaja për të destabilizuar Shqipërinë dhe Europën”, deklaroi kryeministri, pa paraqitur në këtë pjesë të fjalës prova konkrete për akuzat.
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur protestat studentore kanë hyrë në ditën e nëntë, ndërsa të rinjve u janë bashkuar edhe pedagogë, të cilët kanë paralajmëruar vijimin e tubimeve deri në dorëheqjen e kryeministrit.


