Zgjedhjet lokale, Shqipëria i jep borxh Kosovës 50 kamera monitoruese

Politikë

Zgjedhjet lokale, Shqipëria i jep borxh Kosovës 50 kamera monitoruese

Kosova do të përdorë pajisje teknologjike të Shqipërisë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është nënshkruar një marrëveshje mes dy palëve, ku Shqipëria do i japë Kosovës disa pajisje teknologjike që janë përdorur në 25 prill, për përdorim të përkohshëm.

Sipas njoftimit të KQZ, Shqipëria do u japë 50 kamera regjistruese dhe monitoruese të cilat do të përdoren në zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë.

Njoftimi i KQZ-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, e cila parashikon përdorimin e përkohshëm nga pala kosovare të teknologjisë zgjedhore të zbatuar nga KQZ e Republikës së Shqipërisë. Në emër të dy institucioneve nënshkruan Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi dhe Kryetari i KQZ-së së Kosovës, z. Kreshnik Radoniqi.

Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të huazimit të 50 kamerave regjistruese dhe monitoruese të përdorura në zgjedhjet e parlamentare të 25 prillit, për t’i përdorur në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në zgjedhjet vendore të 17 tetorit që do të mbahen në Kosovë.

Komisioneri Ilirjan Celibashi deklaroi se kamerat e monitorimit në qendrat e votimit dhe vendet e numërimit të votave në zgjedhjet parlamentare ishin garanci e shtuar për procesin zgjedhor dhe integritetin e zgjedhjeve.

Nga ana e tij, Kryetari i KQZ-së së Kosovës, Kreshnik Radoniqi nënvizoi se përdorimi i këtyre kamerave regjistruese në QNR do të ndihmonte KQZ-e Kosovës në ruajtjen e integritetit të zgjedhjeve dhe në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve dhe kandidatëve në aktivitetet që zhvillohen në QNR, pasi aty zhvillohen disa procese të rëndësishme pas ditës së zgjedhjeve, siç janë numërimi i votave me kusht, votave me postë dhe rinumërimi i vendvotimeve.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion