Vizita në Itali, Presidenti Begaj shpallet “Qytetar Nderi” nga Komuna e Roshanos

Politikë

Vizita në Itali, Presidenti Begaj shpallet “Qytetar Nderi” nga

Në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi një vizitë edhe në komunën e Roshanos, ku u takua me autoritetet vendore të komunës si dhe rajonit të Abrucos, me përfaqësues të komunitetit arbëresh të Roshanos, por edhe me diasporën e re shqiptare të vendosur aty në tre dekadat e fundit. Në këtë takim, Begaj u nderua me titullin “Qytetar Nderi” nga ana e Kryetarit të Bashkisë së Roshanos, Dr. Simone Palozo.

Në fjalën e mbajtur, Begaj vlerësoi përkushtimin e komunitetit arbëresh të Vila Badesës, që kanë ditur të ruajnë gjuhën, kulturën, traditat e të parëve.

“Shumë faleminderit për këtë mikpritje të ngrohtë e vëllazërore që organizuat me rastin e ardhjes time në Vila Badesa, dhe për më tepër të organizuar në këtë Kishë simbol të arbëreshëve dhe krenarie për çdo shqiptar,” tha në fjalën e tij kreu i shtetit. Duke folur për atmosferën familjare që çdo shqiptar përjeton në Vila Badesa, Presidenti Begaj tha se: “Sheshi, kisha, rrugët, busti i Kryezotit të Arbërit, shtëpitë, gatimi të gjitha rrezatojnë trashëgiminë tuaj arbërore dhe për këtë ju jemi vërtet mirënjohës.”

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Presidenti u ndal dhe tek takimi me Presidentin Mattarella, duke nënvizuar se: “Ju siguroj se një pjesë të rëndësishme të takimit me Presidentin Mattarella, ju kushtua vëmendjes ndaj arbëreshëve, për të cilën ju siguroj se ai kishte një respekt të jashtëzakonshëm, dhe lamë të zhvillojmë projekte të përbashkëta në interes të arbëreshëve. Në kushtet e sotshme, duhet të bëjmë akoma më shumë, që gjuha arbëreshe, traditat unikale fetare, të ruhen e trashëgohen edhe tek brezat e ardhshëm.”

Kreu i Shtetit vuri në dukje gjithashtu ndihmën e qendrës spitalore të Kietit dhe Provincës së Kietit, në trajtimin e fëmijëve dhe pacientëve shqiptarë, veçanërisht në repartin e hematologjisë.

 

ME TE LEXUARAT