“U rrëmbye me urdhër të Luarasit”, deputetja reagon për shoqërimin e Arvina Lleshit: Qelbësirllëku nuk quhet gazetari

Politikë

“U rrëmbye me urdhër të Luarasit”, deputetja reagon

Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka reaguar pas lajmeve të publikuara mëngjesin e sotëm lidhur me shoqërimin në polici të aktivistes Arvina Lleshi, e cila një ditë më parë ishte mes protestuesve që u përplasën verbalisht me deputeten.

Luarasi ka hedhur poshtë pretendimet se ka kallëzuar në polici personat që e sulmuan një ditë më parë, duke sqaruar se nuk ka ndërmarrë asnjë hap ligjor ndaj tyre, përfshirë edhe aktivisten Lleshi.

Sipas ligjvënëses socialiste, shoqërimi i Lleshit në komisariat nuk ka lidhje me përplasjen me të, por me një tjetër incident të ndodhur gjatë protestës, që lidhet me deputeten Ilva Gjuzi, automjeti i së cilës u bllokua dhe u qëllua me vezë e domate nga një grup protestuesish.

“FAKE NEWS DHE MANIPULIM I SHËMTUAR”, shkruan Luarasi, duke i cilësuar lajmet që e lidhin atë me shoqërimin e aktivistes si manipulim.

Ajo ka kritikuar gjithashtu përdorimin e imazhit të saj në materiale që, sipas saj synojnë ta paraqesin situatën në mënyrë të deformuar, duke e konsideruar këtë praktikë si një formë poshtërimi publik dhe dhune digjitale ndaj një gruaje.

“FAKE NEWS DHE MANIPULIM I SHËMTUAR. Protestuesja është shoqëruar në komisariat lidhur me sulmin ndaj automjetit privat të deputetes Ilva Gjuzi dhe dëmtimin e pasqyrës së tij dhe s’ka lidhje fare me mua.

Deri më tani nuk kam ndërmarrë asnjë hap ligjor ndaj personave që më  denigruan dje. Ata që përdorin manipulimin dhe lajmet e rreme nuk i shërbejnë protestës: e bëjnë pis atë.

Përdorimi i fytyrës sime mbi trupin e një gruaje tjetër është poshtërim publik dhe dhunë digjitale ndaj një gruaje. Kur kësaj i shtohet edhe një lajm i rremë, nuk kemi më as informim, as satirë dhe as gazetari. Gazetaria kërkon të vërtetën, kurse qelbësirllëku ushqehet me gënjeshtrën. Mos i ngatërroni. Dhe qelbësirllëku nuk quhet gazetari”, reagimi i Luarasit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion