U raportua për 12 efektivë të plagosur në protestë, PD përgënjeshtron policinë: Asnjë efektiv nuk është paraqitur në spitale

Partia Demokratike reagoi pas përfundimit të protestës së opozitës, duke përgënjeshtruar pretendimet e zëdhënësve të policisë se 12 efektivë janë plagosur gjatë përplasjes me protestuesit.
“Sipas informacioneve tona të grumbulluara në mënyrë operative në të gjitha spitalet e kryeqytetit, asnjë efektiv policie nuk është paraqitur për ndihmë të parë,” thuhet në deklaratën e PD-së.
Partia Demokratike e cilëson këtë si një përpjekje për të ngjyrosur dhunshëm një protestë masive kundër qeverisë.
PD paralajmëron se çdo tejkalim i ligjit do të mbajë përgjegjësi të plotë, ndërsa garanton mbështetje ligjore dhe ndihmë për të ndaluarit dhe familjarët e tyre.
“Ky është fillimi i fundit për narkoregjimin dhe narkopolicinë. Tërbimi i demonstruar sonte me përdorim gazrash helmuese dhe dhune të shpërpjestuar është dëshmi e kësaj,” përfundon deklarata e PD-së.
Deklarata e plotë
Partia Demokratike i konsideron mashtrime dhe të pabaza pretendimet e zëdhënësve të narkopolicisë se janë plagosur 12 efektivë policie.
Sipas informacioneve tona të grumbulluara në mënyrë operative në të gjitha spitalet e kryeqytetit, asnjë efektiv policie nuk është paraqitur për ndihmë të parë.
Përpjekja për të ngjyrosur me dhunë një protestë masive kundër narkoregjimit, nuk është gjë tjetër veçse frika e Ramës dhe shërbëtorëve të tij se zhvillimet politike në Shqipëri kanë arritur në ‘kilometrin e fundit’.
Partia Demokratike thekson se, jo vetëm nuk ka policë të plagosur, por ka dhjetëra protestues të lënduar dhe dhjetra të tjerë të arrestuar, shpesh në mënyrë të paligjshme nga patronazhistë të qeverisë, njerëz pa uniformë dhe pa simbolet e policisë.
Çdo tejkalim i ligjit do të merret shënim dhe çdo abuzues do të mbajë përgjegjësi të plota.
Partia Demokratike falenderon edhe njëherë të gjithë mbështetësit dhe protestuesit, dhe siguron të ndaluarit dhe familjarët e tyre, se ata do të marrin çdo ndihmë ligjore dhe mbështetje.
Ky është fillimi i fundit për narkoregjimin dhe narkopolicinë.
Tërbimi i demonstruar sonte me përdorim gazrash helmuese dhe dhune të shpërpjestuar është dëshmi e kësaj./PANORAMA


