“Reformën në Drejtësi e votuam bashkë”, protesta e opozitës, Peleshi: I formulojnë kërkesat sipas orekseve politike

Politikë

“Reformën në Drejtësi e votuam bashkë”, protesta

Kreu i grupit parlamentar socialist, Niko Peleshi ka folur për mediat nga Korça, ku është ndaluar edhe te protesta e 7 tetorit që është paralajmëruar nga opozita.

Ai tha se protesta është një mjet demokratik dhe nuk mund të quhet herezi, megjithatë ajo që mund të gjykohet është mënyra e të bërit protestë, për të cilën, Peleshi tha se është zgjedhje e opozitës.

Sipas Peleshit, se Reforma në drejtësi u miratua me 140 vota dhe duartrokitje, ndërsa tani nuk pranohen vendimet e gjykatës.

“S’mund të komentoj çfarë vendos opozita, protesta është një element demokratik nuk është një herezi. Protesta e dhunshme pastaj është diçka tjetër, por unë nuk mund ta paragjykoj. Protesta është zgjedhja e tyre, kërkesat politike ata mund t’i formulojnë sipas orekseve politike të veta por unë nuk shikoj se ka ndonjë arsye që të vihet në diskutim qeveria. Për ç’arsye, për shkak të një vendimi të formës së prerë të një sistemi të pavarur nga qeveria? A po flasim pasi kemi kryer së bashku një reformë në drejtësi? E kemi votuar me 140 vota me duartrokitje. Tani të gjykojmë ne vendimet e gjykatave? Për këtë arsye të dali në protestë”, tha Peleshi.

Ai foli edhe për përjashtimin e 24 deputetëve të opozitës pas trazirave në seancën e 30 shtatorit në Kuvend.

“Me këtë nuk merret grupi parlamentar i PS që unë drejtoj, është një çështje e strukturave të Kuvendit, konkretisht Sekretariatit për Etikën, që merr në shqyrtim provat dhe merr vendim, nuk mund të pyetem unë për këtë. Unë ju thashë personalisht, dhe grupit tonë nuk i intereson të ketë një seancë jo normale apo me përjashtime. Ne duam të kemi një seancë normale, me debat të fortë por brënda disa vijave të kuqe.

I vetmi problem që shohim në politikën e këtyre viteve është kuptimi i vijave të kuqe. Të debatojmë, por jo të dalim përtej. Ajo që ndodhi ishte e pa precedent, por ne nuk duam ta kemi prezent dhunën në parlament dhe ta eskalojmë nga një krizë ndërpartiake tek tjetra. Këto janë mendimet tona jo vetëm personale por edhe të grupit parlamentar, nuk është dëshira jonë te ketë një Parlament të pa stabilizuar”, u shpreh Peleshi. 

ME TE LEXUARAT