Raporti i UNESCO-s për Butrintin, Berisha thirrje fondacionit shqiptaro-amerikan të tërhiqet
Ish-kryeministri Sali Berisha komentoi në tubimin e mbrëmjes së sotme raportin e UNSECO-s për Butrintin.
Në fjalën që mbajti nga ballkoni i banesës së tij ku ndodhet në ‘arrest shtëpie’ prej 30 dhjetorit 2023, Berisha i ka bërë thirrje Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të tërhiqet nga ajo që ai e cilëson si ‘afera korruptive me Ramën’.
“Parku u copëtua me projektin e Edi Ramës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan.
Unë jam këtu për të kërkuar publikisht Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, tërhiquni menjëherë nga projekti, kërkoni të falur sepse keni kryer një akt shumë të rëndë ndaj një pasurie përrallore të kombit shqiptar.
Është pikërisht projekti juaj, i bazuar në studimin tuaj korruptiv me Edi Ramën, që i dha këtij të fundit mundësinë të projektojë, të ndërtojë te Gjiri i Manastirit, te Kepi i Stillës me qindra e mijëra banesa.
Unë kam pasur një bashkëpunim të ngushtë, të frutshëm, kam respektuar shumë, kam vlerësuar lart të gjithë kontributin e këtij fondi. Kam pasur marrëdhënie miqësore me presidentin e tij.
Por natyrisht Butrinti ishte për mua, interesi i shqiptarëve ishte mbi të gjitha.
Ndaj i them, zoti Granoff, tërhiqe projektin. I bëtë një dëm të madh.
Ju keni kontribut të padiskutueshëm në dhjetëra e dhjetëra projekte në Shqipëri.
Por ajo që bëtë është e paimagjinueshme. U bëtë bashkautor në një megakorrupsion të tmerrshëm me Edi Ramën.
Përndryshe, me një peticion do i kërkojmë hetim Kongresit të SHBA për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan. Keqpërdorimin e tij nga Edi Rama”, u shpreh Berisha.