Rama poston videon e gazetarit: “E duan Shqipërinë shesh për horrllëk e pisllëk”; “Korbat dhe sorrat do të dështojnë

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video të gazetarit Shpend Gashi të realizuar ditën e sotme, i cili iu kërkon llogari qytetarëve që nuk iu bashkuan akteve të dhunës të protestuesve para Parlamentit.
“Juve që na shkruani dhe na kapni nëpër rrugë dhe na thoni ‘duam dhunë, duam përshkallëzim’, ku jeni sot ju? Ku jeni sot kur jemi grisur me Policinë?”, ka deklaruar pas përplasjeve të sotme para Kuvendit, gazetari Shpend Gashi.
Në videon e publikuar nga Rama, tregohet edhe një tjetër moment kur Gashi lëvdonte Sali Berishën dhe ndihej i nderuar për prezencën e kryedemokratit në emision.
“Jemi me Sali Berishën o budallenj. Më bëhet shumë qejfi që më ke ardhur, më ke nderuar, ma ke zmadhuar këtë zyrën”, ka deklaruar në një tjetër moment gazetari Shpend Gashi, kur kishte të ftuar në emision Sali Berishën.
Rama ka shkruar krahas videos se në protestat që po zhvillohën prej 31 ditësh në Tiranë, ka qytetarë që dalin për hallet e tyre, të cilët i quajti ‘flamingo’, por ka edhe njerëz që dalin për interesa të caktuara, të cilët i quajti ‘korba e sorra.
Shefi i Qeverisë premtoi se qytetarët do të marrin atë që kërkojnë, ndërsa ‘korbat e sorrat’ do të marrin atë që meritojnë.
“Flamingot dhe sorrat me korbat i ndan pikërisht hendeku që ndan paqen me dhunën!
Të parët duan që Shqipëria të jetë më e mirë, më e drejtë, më e pastër, ndërsa të dytët e duan Shqipërinë shesh për horrllëk, dhunë, pisllëk… Flamingot do ta kenë atë që kërkojnë, kurse dështakëzemërakët e kores së zezë të kësaj proteste, do marrin atë që meritojnë sorrat dhe korbat”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale, krahas videos së publikuar.

