Rama për pagat e gjyqtarëve: Një gjykatës në Shqipëri merr 500 euro më shumë se kolegu në Greqi
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për debatin mbi pagat e magjistratëve.
Në një postim të publikuar sot në rrjetin social X, Rama krahasoi pagat e gjyqtarëve shqiptarë me ato të kolegëve të tyre në vendet fqinje.
“Një gjykatës fillestar sot në Shqipëri merr 500 Euro pagë më të lartë se sa kolegu në Greqi dhe me vendimin e marrë vetë Zot vetë Shkop, paga duhet të rritet 2000 Euro më shumë në muaj se sa kolegu grek dhe 3000 Euro më shumë se sa kolegu në Malin e Zi…”, shkruan Rama.
Reagimi i kryeministrit vjen pas padisë në SPAK të magjistratëve, të cilët kërkojnë rritjen e pagave.
Një gjykatës fillestar sot në Shqipëri merr 500 Euro pagë më të lartë se sa kolegu në Greqi dhe me vendimin e marrë vetë Zot vetë Shkop, paga duhet të rritet 2000 Euro më shumë në muaj se sa kolegu grek dhe 3000 Euro më shumë se sa kolegu në Malin e Zi… pic.twitter.com/WjIDLYJ88V
— Edi Rama (@ediramaal) September 13, 2026
Tre ditë më parë, më 10 shtator, 20 gjyqtarë e drejtues gjykatash kallëzuan në SPAK ministrin e Financave Petrit Malaj, sekretarin e përgjithshëm të ministrisë dhe 14 drejtues të Thesarit në rrethe.
Në kallëzim kërkohet që organi i prokurorisë të hetojë rrethanat e krijuara dhe të identifikojë personin ose personat që kanë marrë, transmetuar apo zbatuar vendimmarrjen që ka sjellë mosdhënien e pagave.
Në kallëzim theksohet se situata nuk prek vetëm një magjistrat, por një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh në të gjithë vendin.
Sipas kallëzimit, qëllimi është që prokuroria të përcaktojë përgjegjësinë individuale për veprimet ose mosveprimet konkrete që kanë çuar në mosekzekutimin e pagave.
Gjyqtarët sqarojnë gjithashtu se kallëzimi penal nuk synon zëvendësimin e mjeteve administrative, gjyqësore apo institucionale për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi mënyrën e përllogaritjes së pagave.