“Rama po bën ligje të mbrojë veten”- Berisha: Bota e pa sesi e mbrojti zv/kryeministren që ka vjedhur miliarda

Politikë

“Rama po bën ligje të mbrojë veten”- Berisha: Bota e

Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se jo vetëm mbrojti zv/kryeministren Belinda Balluku, e shkarkuar, pezulluar dhe të pandehur për abuzim me detyrën nga SPAK-GJKKO, por po bën edhe ligje që të zerojë drejtësinë dhe të mbrojë veten e tij.

Teksa renditi denoncimet që opozita i ka bërë në protestat e saj të fuqishme që nga muaji dhjetor në sytë e ndërkombëtarëve, kreu i selisë blu shpjegoi se kjo ka shkaktuar jehonë në mediat ndërkombëtare e jo vetëm.

Ai shtoi se edhe në sytë e botës dhe ndërkombëtarëve, kryeministri që nuk do ketë të ardhme dhe s’do i mbetet resto pa iu kthyer për dhunën ndaj protestuesve, doli si mbrojtës i korrupsionit dhe paligjshmërisë, dhe si armik i drejtësisë.

“Kreu i organizatës kriminale Edi Rama, që megjithë reagimin e shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, e zeron drejtësinë dhe do të paraqesë ligje për mbrojtjen e vet. Na thoni bashkëqytetarë të dashur, çfarë duhet të bëjmë? Ka vetëm një rrugë, të protestojmë e të protestojmë deri në fitore. Rama dje ka përdorur dhunë, padyshim do i kthehet e gjitha atij, resto s’do i mbetet. Ne në këtë rrugë nuk ka forcë në botë të na ndalë, ne do e rikthejmë Shqipërinë siç e kthyem në vitin 1992, në rrugën e të ardhmes, demokracisë dhe integrimit në BE. Ne do marrim fatin e Shqipërisë në duart tona. Do refuzojmë çdo mashtrim të këtij regjimi dhe do ngrihemi më fuqishëm çdo ditë e më shumë”, tha ai.

Berisha shpjegoi se si e ka nxjerrë në shesh korrupsionin qeveritar, ku e kanë parë qytetarët shqiptarë kudo në botë dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ai akuzoi kreun e ekzekutivit se po mbron vartësen Belinda Balluku, të akuzuar për afera nga drejtësia.

“Protestat tona nga dhjetori e deri sot, kohë në të cilën Evropa e Bota e pa se si në Shqipëri zv/kryeministrja ka vjedhur miliona e miliarda me kryeministrin dhe ai e mbron, nuk i heq imunitetin por do të ndryshojë ligjet, por pa një popull e opozitë që nuk pajtohet me vjedhjet e qeveritarëve. Ky është fakti se pse protestat tona përbëjnë lajm botëror, secila prej tyre, çdo protestë mezi pritet nga njerëzit e lirë në mbarë botën, mezi pritet nga shqiptarët, protesta, kryengritje, kryengritje dhe kryengritje paqësore”, vijoi lideri i opozitës fjalën e tij.

Në fund kryedemokrati e mbylli me një apel se opozita do vijojë rrugën e saj të protestave paqësore dhe revoltës qytetare ndaj qeverisë së korruptuar, deri në rrëzimin e saj dhe fitore.

“Kështu që të vazhdojmë të pamposhtur e të palodhur, të vendosur deri në fitoren tonë. Rama të ardhme nuk ka, rrugën e Shqipërisë në BE s’mund ta mbyllë kurrë, ëndrrën e shqiptarëve e fatin e tyre as e shuan dhe as e shkelmon kurrë. Ndaj të gjithë në këmbë e të vazhdojmë betejën tonë deri në fitore”, përfundoi Berisha./Panorama

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion