Rama: Morëm letrën e BE për hapjen e kapitullit të 3-të, anëtarësohemi në 2030

Politikë

Rama: Morëm letrën e BE për hapjen e kapitullit të

Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të enjte në prezantimin e modulit të inteligjencës artificiale (AI) të zhvilluar brenda platformës së integrimit europian dhe anëtarësimit, e cila përdoret çdo ditë nga më tepër se 1400 ekspertë integrimi.

Rama, në fjalën e tij, tha se përdorimi i inteligjencës artificiale do të përshpejtojë procesin e integrimit, në mënyrë që Shqipëria të jetë gati për anëtarësim deri në vitin 2027.

Shefi i qeverisë shtoi se integrimi i plotë mund të ndodhë në vitin 2030, kur flamuri shqiptar mund të valvitet në Bruksel.

“Ndërkohë që ne me këtë model do të jemi të gatshëm që gjithçka ta mbyllim brenda afatit që kemi përcaktuar së bashku me Komisionin dhe që nga pikëpamja teknike, ne të konsiderohemi gati brenda vitit 2027. Për t’i dhënë kohë pastaj procesit politik dhe ratifikimit në parlamentet e vendeve të Bashkimit Evropian. Në këtë mënyrë, brenda një harku dyvjeçar që parashikojmë për procesin politik dhe ratifikimin nga vendet e anëtarës, që më pas, maja e 2030-s do na gjejë me flamurin tonë në rreshtin e parë në Bashkimin Evropian,” tha Rama.

Rama falënderoi ekipin negociator për hapjen ditën e mërkurë të kapitullit të tretë të negociatave për integrimin në BE.

“Ju jeni skuadra e negociatorëve në përpjekjen për të anëtarësuar Shqipërinë në BE brenda vitit 2030. Sot është një ditë e bukur për të gjithë ne, e cila lidhet drejtpërdrejt me punën e të gjithëve ju. Ju falënderoj për punën tuaj dhe për faktin që e nderoni këtë vend, kundër të gjithëve atyre që përpiqen të shesin një shabllon të shtrembëruar, sipas të cilit ambasada shqiptare nuk meriton respekt. Dje ishte një moment historik në proces, që quhet edhe në gjuhën e Brukselit, momentet kur hapet një derë tjetër. Shqipëria mori letrën e presidencës polake ku na thuhet se vendi ynë është gati të çelë negociatat edhe për kapitullin e tretë,” tha Rama.

BASHKIMI EVROPIAN – SHQIPËRI

MBLEDHJA e 16-të e NËNKOMITETIT të SA-së

DREJTËSIA, LIRIA DHE SIGURIA

11 - 12 SHKURT 2025

Takimi i 16-të i Nënkomitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë u zhvillua më 11 dhe 12 shkurt 2025. Komisioni Evropian dhe autoritetet shqiptare diskutuan mbi zhvillimet më të fundit pas qëndrimit të përbashkët të BE-së të tetorit 2024, që shënoi hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë për Grup-kapitullin 1: Themelorët. Takimi u bashkëkryesua nga znj. Sigrid Brettel, shefe e Njësisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore të Komisionit Evropian (Komisioni Evropian), z. Besfort Lamallari, zëvendësministër i Brendshëm i Shqipërisë dhe z. Tedi Dobi, zëvendësministër i Drejtësisë së Shqipërisë. Fjalën e hapjes e mbajtën ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani dhe znj. Valentina Superti, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian.

Komisioni Evropian përshëndeti rezultatet e vazhdueshme të organeve të specializuara për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK). Roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve komplekse të korrupsionit dhe krimit të organizuar ka qenë guri i themelit i reformës në drejtësi të vitit 2016, konsolidimin e vazhdueshëm të së cilës BE-ja e mbështet dhe promovon si pjesë përbërëse e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë. SPAK-u ka kontribuuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të ofruar një historik të besueshëm rezultatesh kundër krimit të rëndë, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë. U theksua gjithashtu rëndësia e përparimit të mëtejshëm në përafrimin me acquis-në e BE-së në këtë fushë dhe e një Zyre të Rikuperimit të Aseteve plotësisht funksionale, e krijuar brenda Policisë së Shtetit Shqiptar. Komisioni Evropian njohu përpjekjet e Shqipërisë dhe bëri thirrje për forcimin e efikasitetit të kuadrit të parandalimit të korrupsionit veçanërisht në sektorët vulnerabël dhe rritjen e efektivitetit të verifikimit të deklaratave të pasurisë. Komisioni Evropian rikujtoi gjithashtu nevojën për të adresuar rekomandimet e pazgjidhura të GRECO-s. 

Lidhur me progresin në zbatimin e reformës në drejtësi, Komisioni përshëndeti përfundimin me sukses të procesit të rivlerësimit të përkohshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetingu) të shkallës së parë. Komisioni rikujtoi nevojën për konsolidimin e vazhdueshëm të pavarësisë, llogaridhënies, integritetit dhe cilësisë së gjyqësorit, si dhe përpjekjet për të rritur efikasitetin në të gjitha nivelet. Komisioni rikujtoi gjithashtu nevojën për të vazhduar monitorimin e përpjekjeve për të ushtruar ndikim të padrejtë në gjyqësor.

Për bashkëpunimin në fushën e luftës kundër drogës, Komisioni mori dijeni për krijimin së fundi të një Sistemi kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm dhe nxiti funksionalizimin e plotë të tij. Komisioni inkurajoi gjithashtu krijimin sa më shpejt të jetë e mundur të një Observatori Kombëtar të Drogave funksional dhe me burime të mjaftueshme. Shqipëria u ftua të sigurojë zbatim të fortë ligjeve për shkeljet kundër kultivimit të ligjshëm të kanabisit..

Për azilin, vizat, migracionin dhe menaxhimin e kufijve, Komisioni përshëndeti përparimin e mirë të Shqipërisë në zbatimin e Planit të Veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Përpjekjet mbeten të nevojshme për të harmonizuar më tej politikën e vizave të Shqipërisë me atë të BE-së dhe për të reduktuar më tej kërkesat e pabazuara për azil nga shtetasit shqiptarë në shtetet anëtare të BE-së. Shqipëria u ftua të krijojë mjedise të dedikuara pritjeje dhe strehimi për të miturit e pashoqëruar dhe përfshirjen e këtyre të fundit në sistemin kombëtar të mbrojtjes së fëmijëve.

Për sa u përket të drejtave themelore, Komisioni Evropian përshëndeti përparimin në përafrimin me acquis të BE-së në fushën e mbrojtjes së të dhënave dhe përparimin në miratimin e legjislacionit zbatues për të drejtat e personave që u përkasin pakicave. Zbatimi mbetet kyç. Më tej u theksua nevoja për përparim në fushën e lirisë së shprehjes, barazisë dhe mosdiskriminimit, të drejtës së pronës dhe të drejtave të fëmijëve.

ME TE LEXUARAT