Rama ashpërson tonet ndaj gjyqtarëve: Çfarë jeni, partia e çekiçëve? Pavarësia ka rrëshqitur në papërgjegjshmëri

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të tretë lidhur me debatin për pagat e gjyqtarëve, duke e cilësuar atmosferën e krijuar si “shqetësuese, të shëmtuar dhe vulgare”.
Në një postim video në rrjetet sociale, Rama tha se pavarësia e gjyqësorit ka rrëshqitur në papërgjegjshmëri, ndërsa u shpreh se dy strukturat drejtuese të sistemit gjyqësor janë të mbingarkuara me njerëz, paga dhe shpenzime, ndërsa produktiviteti i tyre, sipas tij, lë shumë për të dëshiruar.
Sipas tij vendimi është marrë pa një komunikim paraprak me ekzekutivin dhe legjislativin.
“Vetë Zot, vetë Shkop? Çfarë jeni ju, partia e çekiçëve?”, deklaroi Rama, duke shtuar se askush nuk duhet të kërcënojë apo të vendosë nën presion pushtetet e tjera të pavarura, ndërsa theskoi se qeveria do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Do ta respektoj vendimin e Kushtetueses dhe do të bëj atë që është, sipas nesh, rruga për t’iu përgjigjur edhe kësaj kërkese, por kërcënime dhe pengmarrje për pushtete të tjera të pavarura si ekzekutivi e legjislativi, askush nuk duhet të bëjë”, përfundoi Rama.
Deklarata e plotë e Ramës
“Dy shëmbëlltyrat e anës së errët të medaljes së reformës në drejtësi, dy trupa të mbingarkuara me njerëz, paga, shpenzime, por me një produktivitet që lë shumë për të dëshiruar në aspektin e misionit që kanë si trupa qeverisëse të sistemit të drejtësisë që është i pavarur, jo më në letër, por në realitetin faktik të Shqipërisë ku pavarësia aq sa ka sjellë të mira, aq edhe ka sjellë sfidën e madhe të rrëshqitjes në papërgjegjshmëri, por nuk dua të hyj në këtë temë. Është temë komplekse, është e duhura, koha në dispozicion për të transformuar rrënjësisht dhe ngritur një sistem drejtësie, ka qenë e shkurtër sepse këto janë ndryshime epokale dhe ky ndryshim epokal ka nisur.
Dua të them vetëm sesa shqetësuese, sa e shëmtuar, sa vulgare është atmosfera e krijuar nga një konflikt pushtetesh dhe nga një barrikadim i atij pushteti të pavarur, kushtetues që duhet të garantojë barazinë para ligjit për të gjithë e mbi të gjitha mbi vetveten, e mbi të gjitha përtej gërmës së ligjit të garantojë një shembull. Kur vjen puna që del nga salla e gjyqit dhe është i organizuar në shoqata për t’i dhënë zë shqetësimeve të trupës në publik. Këtu flasim për një tjetër dimension dhe është i rëndësishëm për shembullin që jepet. Janë një palë që kanë këtë interes.
Dua ta nis aty ku e fillova, te këto dy trupa këshillash, dy maja, një majë me dy trupa të piramidës së gjyqësorit. Këta burra dhe gra që paguhen jo pak dhe që janë aty për të administruar punët e gjyqësorit, jo për të bërë drejtësi, për të administruar proceset që deri dje i administronte kuvendi, politika dhe tani janë në pavarësinë e tyre të plotë. Si mundet që gjëja e parë që bëmë u kuturisëm të marrim një vendim në mes të verës dhe të nxjerrim një urdhër që është zanafilla e këtij konflikti, pagat janë këto dhe Thesari i Shtetit të hapë derën. Le të themi se kanë të drejtë, por le të themi, kjo është mënyra, rruga, shembulli, këtë ju mësojmë ne, të tërë së bashku, njerëzit e drejtësisë, qytetarëve shqiptarë? Kështu kërkohet e drejta? Në mënyrë të njëanshme? Pa ezauruar asnjë nga hapat e tjerë? Ne jemi përfaqësues apo 3 shtete në konflikt? Çfarë është Shqipëria? Çfarë janë këto pushtete? Janë republikat e ndara të një federate që vjen nga lufta etnike dhe fetare? Çfarë ndodh këtu? Si është e mundur që nuk hidhet hapi i parë normal? Kërkohet një kontakt, ulet njeriu në tavolinë, njerëzit që jetojnë me përgjegjësinë e një shteti, në një rrugë jo të lehtë shtetbërjeje, me përgjegjësinë e dhënies së shembullit për të tjerët se në çdo hap japim një shembull për të tjerët dhe ulet e thuhet ne kemi këtë shqetësim, ka një vendim të Kushtetueses që ne si pushtet ekzekutiv e legjislativ s’kemi asnjë qëllim dhe as na shkon në mend të mos e respektojmë, por ka edhe një afat 31 korriku që nuk u përmbush dot për shkak të procesit parlamentar dhe duam të dimë si e keni ju këtë ide, do ta respektoni këtë vendim? Kur keni ndërmend ta respektoni? Pasi të dëgjonit anën tonë, mund të vazhdonin të bënin të tyren si t’u thoshte mendja. Por kjo me arbitraritet ndaj një shumice qeverisëse që ka bërë reformën në drejtësi, që ka luftuar për këtë standard trajtimi dhe mirëqenieje që është rritur kaq ndjeshëm në familjet e gjithë kësaj trupe në Shqipëri, gjëja e parë që ju vajti në mend është t’i dilni përballë dhe ta sfidoni me një formë kaq brutale? Vetë zot, vetë shkop? Ça jeni ju, partia e çekiçëve? I keni për të kërcënuar autoritetet kushtetuese dhe politike? për të kërcënuar Ministrin e Financave, drejtorët e Thesarit? Ça janë ata, roje magazinash pa zot? Si është e mundur që nuk ka një moment marrje fryme dhe marrje me arsye të hapave. Ne mund të mos jemi dakord asnjëherë por kemi detyrimin që mosdakordësinë ta trajtojmë në mënyrë të civilizuar. Boll është trajtuar në mënyrë të paqytetëruar mes partive politike. U shtua dhe një parti politike tjetër tani që do të nxjerrë dhëmbët dhe skërmitet për të shumëfishuar pagat e veta për t’i çuar me diferencë nga gjithë rajoni për të shkuar në nivelet e vendeve më të zhvilluara të BE?
Besoj që ky është një rast për të nxjerrë disa mësime dhe ndërkohë, i siguroj të gjithë, do ta respektoj vendimin e Kushtetueses dhe do të bëj atë që është sipas nesh, rruga për t’iu përgjigjur edhe kësaj kërkese, por kërcënime dhe pengmarrje për pushtete të tjera të pavarura si ekzekutivi e legjislativi, askush nuk duhet të bëjë”.


