Pagat e gjyqtarëve, reagon sërish Rama: Askush nuk e urdhëron Parlamentin se kur duhet të ngrejë dorën!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për përplasjen mbi pagat e gjyqtarëve.
Rama tha se politikën e pagave e propozon qeveria, e miraton Parlamenti dhe e zbaton sërish qeveria. Ai shtoi se Gjykata Kushtetuese mund të ndërhyjë vetëm kur cenohet një parim apo normë kushtetuese, ndërsa ligjvënësit duhet ta riparojnë situatën përmes votës së tyre.
Kryeministri ngriti gjithashtu shqetësimin për mundësinë që shoqatat e prokurorëve dhe gjyqtarëve të përdorin mjete politike dhe juridike për të kërkuar rritjen e pagave.
POSTIMI I EDI RAMËS:
Kurrë jo, kjo nuk është gjuhë gjykatësi, po gjuhë ultrasi që bërtet në rrugë kundër VAR-it. Keqardhje dhe disa të vërteta të thjeshta: Askush nuk e zëvendëson dot parlamentin dhe as nuk e urdhëron dot legjislativin se kur duhet ta ngrejë dorën. Vetëm Gjykata Kushtetuese e askush tjetër, ka të drejtën dhe detyrën t’i thotë se kur e ka ngritur dorën gabim, po as ajo vetë nuk i thotë dot kurrësesi pushtetit të pavarur legjislativ se si duhet ta ngrejë dorën. Politikën e pagave e propozon vetëm qeveria, e miraton vetëm parlamenti dhe e zbaton vetëm qeveria.
Gjykata Kushtetuese ndërhyn vetëm nëse cënohet një parim a një normë kushtetuese, që ligjvënësit duhet ta riparojnë pa u cënuar në pavarësinë e tyre, siç e shohin ata të udhës të shprehen me votën e tyre. Nëse largqoftë, shoqatat e prokurorëve e të gjykatësve kanë vendosur që me mjete politike dhe juridike të koordinuara me zyrat e prokurorive e të gjykatave si një ushtri e rreshtuar kundër qeverisë, të na imponohen me kallzime, sigurime a përmbarime për të rritur pagat e tyre, atëherë jemi përpara një sfide të një lloji të ri, e cila nuk na tremb po na shqetëson pamasë. Por ne nuk duam të jetë kështu dhe unë nuk dua ta lejoj që të ndodhë kështu, sepse ndryshe nga si e mendon ky gjykatësi mediatik, kjo e pagave stratosferike, për ne nuk është çështje inati po sfidë shtetbërjeje europiane e Shqipërisë. Eshtë shumë e thjeshtë.
Tryeza e përgatitur për takimin e kërkuar dhe të anulluar vazhdon të jetë gati. Në 17 shtator mbaron vetëm ky episod i tensionuar publikisht, që mund dhe duhet të ishte shmangur, por nuk shteron nevoja për të komunikuar mes pushteteve të pavarura. Përkundrazi, ajo nuk lindi nga episodi i pagave dhe do të jetë edhe më e madhe në çdo hap deri në anëtarësimin në Bashkimin Europian. Por ne tryezën dhe gatishmërinë kemi, të tjerat janë në gjykimin e gjykatësve.


