Nesër ‘vuloset’ fati i Ballukut! PS: Jo arrestimit, ‘pro’ hetimit! PD protestë brenda e jashtë Kuvendit

Politikë

Nesër ‘vuloset’ fati i Ballukut! PS: Jo arrestimit,

Nën një klimë te tensionuar, pritet të votohen seancën e së enjtes 2 raportet e maxhorancës dhe opozitës mbi kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes socialiste Belinda Balluku, duke vulosur fatin e kësaj kërkese që qëndron në Kuvend prej datës 16 dhjetor të vitit të shkuar. PS dhe PD shkojnë të ndara në qëndrime. 

Socialistët, këmbëngulin se tashmë pa një funksion ekzekutiv, e shkarkuar edhe si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe nga numri 2 i qeverisë, Belinda Balluku nuk mund të prishë provat apo të arratiset, nuk mund të përsërisë veprën penale, dhe rruga e SPAK për ta hetuar për pabarazi në tenderë është e hapur, pa nevojën e masës arrest me burg. Për ta rrëzuar këtë kërkesë, Partisë Socialiste do i mjaftojnë 71 vota.

Ndërsa demokratët që dorëzuan të parët raportin e tyre insistojnë se heqja e imunitetit deputetes Balluku për t’i dhënë dritën jeshile arrestimit, është domosdoshmëri, pasi pavarësisht se është zhveshur nga postet ministrore, rrezikon të intimidojë dëshmitarët e të prishë provat.

Përballë Ulsi Manjës, në mungesë të kreut të grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhit të përjashtuar nga Etika, raporti i opozitës do të lexohet nga Oerd Bylykbashi, anëtari tjetër i PD në Këshillin e Mandateve.

Nuk dihet nëse vetë Balluku do të shfrytëzojë të drejtën për të mbajtur një fjalë në Kuvend, apo nëse do të jetë e pranishme në seancë paraditen e së enjtes.

Paralel me aksionin brenda parlamentit, demokratët do të rrethojnë kuvendin në një protestë që do të nisë në të njëjtën kohë me seancën plenare dhe do të mbyllet me përfundimin e saj, pa skenarë ngujimi, siç burime nga selia blu thonë për Report Tv.

SPAK kërkoi në dhjetor dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut, pasi më herët e kishte pezulluar nga 2 funksionet në qeveri dhe vijon ende me masën e ndalimit për të dalë jashtë vendit. Balluku është e pandehur për dosjen e tunelit të Llogarasë, si dhe në hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe, e dyshuar për tenderin e rrugës Thumanë Kashar si dhe 2 procedura të tjera tenderimi./Shqiptarja

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion