Mbyllet pas 1 ore protesta e opozitës, Berisha paralajmëron mobilizim kombëtar: Të përgatitemi!

Politikë

Mbyllet pas 1 ore protesta e opozitës, Berisha paralajmëron mobilizim

Ashtu siç pritej, ka zgjatur fiks 1 orë protesta e sotme e opozitës, 8 dhjetor, para godinës së Kryeministrisë, vend të cilin kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar “Sheshi i Lirisë”.

Para se në foltore të ngjitej për të folur kryetari Berisha, fjalën e morën përfaqësues nga të gjitha shtresat e shoqërisë dhe deputetë opozitarë. Mes atyre që mbajtën fjalime ishin edhe ish-Studentë të Dhjetorit 1990, me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë dhe lëvizjes studentore.

Në Ditën e Rinisë, Berisha theksoi se “gjenerata Z ka përmbysur diktatura mizore në vende të ndryshme të botës dhe është bërë zëdhënëse e betejës për liri të shoqërisë njerëzore”.

“Të mbajmë misionin deri në fitore sepse Edi Rama, është armik i egër i lirive të shqiptarëve!”, u bëri thirrje qytetarëve.

“Sot, pas 35 vitesh, ne nuk jemi më një diktaturë moniste. Studentët e dhjetorit nuk kishin një forcë politike që t’u dilte zot. E vërteta është se edhe qytetarët e trembur, dy ditët e para nuk u afruan me ta. Por ata vazhduan dhe fituan. Kurse sot, shqiptarët kanë një forcë politike dhe kjo është PD. Parti e themeluar nga studentët e dhjetorit, e idealeve të dhjetorit”, deklaroi Berisha.

Kreu i demokratëve në fjalën e tij bëri thirrje mes të tjerash për mobilizim të protestave të fuqishme nga opozita dhe demokratët, deri në largimin e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

“Edi Rama ka mbushur jo kupën, por çdo gjë. Meriton çdo ndëshkim me këto që i ka bërë kombit.

Është koha jonë, është koha e guximtarëve, është koha me ideale, është koha e njerëzve që e duan Shqipërinë.

Ndaj dhe u ftoj të përgatitemi të nisim protestat e fuqishme, protestat me të cilat ne do iu rikthejmë shqiptarëve të ardhmen, Shqipërinë, nderin dhe dinjitetin që meritojnë”, tha Berisha.

Teksa PD mban protesta për të rikthyer pluralizmin, javën e fundit ka pasur zhvillime jo fort të favorshme për këtë forcë politike. Ish-deputeti demokrat, anëtar Kryesie, Ervin Salianji, e ka thënë publikisht se ky subjekt politik ka nevojë të riformatohet.

Megjithatë, përtej pritshmërive, ai u pa në protestën e sotme. Më herët, ai ka bërë me dije se bashkë me Ilir Alimehmetin, si dhe disa nga demokratët më të votuar në zgjedhjet e 11 majit, kanë nisur një tur takimesh nëpër qytete, për hapjen dhe ripërtëritjen e Partisë Demokratike.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion