Lapaj denoncon Agron Shehajn në SPAK: Duhet të mbajë përgjegjësi për shpifjet!

Kreu i Koalicionit ”Nisma Shqipëria Bëhet” ka dorëzuar në SPAK një padi për shpifje ndaj deputetit Agron Shehaj.
Për gazetarët, Lapaj tha se vendosi të padisë Shehajn pasi ky i fundit ka bërë deklarata të pavërteta dhe denigruese ndaj figurës së tij publike.
“Kam bërë një kërkesë penale për veprën penale të fyerjes dhe shpifjes. Unë i kam dhënë kohë zotit Shehaj prej një muaji, por edhe vetes, për të reflektuar, sepse nuk e kam dashur një jap mesazhin e luftës mes subjekteve të reja.
Jam sulmuar në mënyrë të pakuptimtë. Nëse unë kam shkelur ligjin e republikës së Shqipërisë, do të mbaj përgjegjësi, ose zotëria në fjalë ka shkelur ligjin dhe do të mbajë përgjegjësi për shpifje”, tha ai.
Shehaj e akuzoi fillimisht Lapajn se kishte marrë 45 milionë lekë nga kompania “Merkaj 3 shpk”, e sekuestruar nga SPAK pasi përdorej për të pastruar paratë e grupit kriminal të “Çopjave”.
Sipas Shehajt, Lapaj ka marrë përsipër regjistrimin e një prone miliona euroshe që kompania e Çopjave kishte blerë në bregdet, duke i nxjerrë certifikatën e pronësisë.


