Këto janë fletët e votimit për zgjedhjet e 25 prillit për 12 qarqet e vendit. Si do të votojnë qytetarët

Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor një ditë më parë që vendosi të pranonte kërkesën e Partisë Socialiste që qytetarët shqiptarë të votojnë me numra në zgjedhjet e 25 prillit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar fletët e votimit.

Tanimë, krahas partive politike, votuesit do të mund të vendosin kryq ose plus tek një nga numrat e kandidatëve për deputetë.

Këto janë variantet përfundimtare të miratuara sot nga KQZ-ja. Ata ndryshojnë nga njëri qark në tjetrin në bazë të numrit të kandidatëve, ndërsa formati i fletës mbetet i njëjtë.

Për shkak të ngjashmërisë së logove, Bindja Demokratike e drejtuar nga Astrit Patozi është detyruar të rimodelojë logon, duke e bërë më të dallueshme për votuesit.

Sipas modelit të miratuar ditën e sotme nga Kolegji Zgjedhor, fletët e votimit do të jenë të ngjashme në çdo qark ku sipas një rendi nga lart poshtë, partitë politike renditen sipas shortit për numrin e pozicionimit.

E vetmja gjë që ndryshon nga njëri qark në tjetrin është dendësia e vijëzimit të kutive ku zgjedhësit duhet të vendosin për kandidatin e preferuar jo me emër, por duke mbajtur mend emrin ku partia e ka caktuar në renditjen në rang qarku.

Në sy bie diferenca mes qarkut të Tiranës dhe Kukësit, të cilët respektivisht kanë numrin më të madh dhe numrin më të vogël të kandidatëve.

Tirana ka 36 kandidatë duke bërë që dendësia e kutisë së votës për kandidatin, të jetë mjaft e vogël në raport me Kukësin .

Katër ditë më parë, Partia Socialiste ankimoi në KAS vendimin e marrë nga KQZ për fletën e votimit.

Fleta e votimit përmbante edhe emrin e kandidatit dhe ate të partisë politike.

Përfaqësuesi i PS-së, Eridian Salianji u shpreh se kjo fletë votim me emra shkakton vonesa në votim dhe numërim, duke vonuar procesin dhe duke rrezikuar sipas tij shëndetin e votueseve në kohë pandemie.

Kas miratoi kërkesën e PS-së për fletën e votimit, pa emrin e kandidatit.
Menjëherë më pas PD e ankimoi vendimin e KAS në Kolegjin Zgjedhor.
Në Kolegj, ku u vendos sërish për një fletë votimi me numra dhe pa emrin e kandidatit u diskutua për më shumë se dy orë, ku përfaqësuesit politikë paraqitën pretendimet e tyre.

Përfaqësuesi i PD në KQZ, Ivi Kaso tha se padia e tyre ka të bëjë, e para me identifikimin e emrave të kandidatëve në fletët e votimit dhe jo me numra. Ndërsa e dyta lidhet me logon, që sipas tij Bindja Demokratike duhet ta ndryshojë, pasi është e ngjashme me atë të PD dhe krijon konfuzion tek votuesit.
Nga ana e saj PS tha se fleta e votimit të 25 prillit duhet të jetë me numra, pasi ndihmon në përshpejtimin e rezultatit për të nxjerrë më shpejt votuesin.


