Kërkon mandatin e tretë, a beson Rama që do të thyejë rekordin e Berishës dhe Nanos

Kryeministri Edi Rama deklaroi në emisionin ‘Kjo javë’, se mandati i tretë që ka kërkuar më herët Sali Berisha dhe Fatos Nano, ishin fund i një cikli.
Kjo sipas Ramës, mandati i tretë për PS-në lidhet me projektet që duhet të vazhdojnë që të bëjnë.
Po ashtu Rama u ndal edhe tek premtimet që nuk janë realizuar, siç ishte ndërtimi i disa shkollave, pasi fondi shkoi për rindërtimin.
"Mandati i tretë ka të bëjë me atë që duhet të vazhdojmë të bëjmë, nuk ka të bëjë, as me të parën, as me të dytën.
Dy rastet e mëparshme janë të ndryshme, por sidoqoftë në dy rastet e mëparshme, ka qenë fundi i një cikli, ndërkohë që PS dhe skuadra jonë nuk e ka mbyllur ciklin është një cikël i hapur dhe në çdo drejtim ne kemi punë që duhen çuar para dhe duhen kryer.
Që nga reforma në drejtësi dhe domosdoshmëria për të konsoliduar pozicionin e drejtësisë së re që është në rrezik nëse ndërron drejtimi, tek turizmi ku ne tani kemi mundësinë të hyjmë në një epokë të re me investime të mëdha, në radhë të parë me investimin e madh të portit turistik të Durrësit, por edhe të Vlorës, që janë dy investime që tanimë janë në fazën e zbatimit. "-tha Rama.


