Çfarë ndodhi në Parlament? flet Baçi: Një polic na shtyu me armë

Përplasja e sotme në Parlament mes deputetëve të Partisë Demokratike (PD) dhe Gardës, ku mori pjesë edhe FNSH-ja, u diskutua në një studio televizive me deputetin Luan Baçi dhe analistin Poli Hoxha.
Baçi sqaroi se çfarë ndodhi gjatë incidentit, ku pretendon se një prej anëtarëve të FNSH-së nxori armën. Ai theksoi se “FNSH ishin brenda territorit të parlamentit. Për mua e qartë sepse në parlament nuk funksionon rregullorja, por urdhrat verbalë me telefon.” Ai e përshkroi situatën si “e paprecedentë,” duke shtuar se ata “kishin ikur për të dalë tek dera e jashtme, por aty ishte Garda dhe FNSH që e kishin zënë derën dhe nuk na linin.”
Baçi vazhdoi duke treguar se “U kthyem prapa dhe menjëherë na rrethuan FNSH. Këtej kishim polic dhe gardistë, dhe këtej FNSH.” Ai përshkroi një moment tensioni, kur një polic përballë tij nxori armën dhe tha se “polici përballë më pa drejt në sy dhe më tha kudjes,” duke e hapur xhaketën si një kauboj.
“Një këshillë, shikojeni me kujdes. Keni një detaj. Jepni dy fotot, të parën dhe pastaj të dytën. Në të parën është një këllëfë pistoletë; te e dyta është spraj. Ishte me këllëf pistolete atje,” tha ai. Ai kritikoi policinë, duke e quajtur “mashtrim” dhe tha se “kjo ka kaluar kufijtë e paligjshmërisë.”
Analisti Poli Hoxha shprehu dyshimet e tij për armën në incident. Ai tha: “Pikë së pari është skandaloze futja e FNSH-së kur pamë një situatë që nuk ishte për forca speciale. Është territor i gardës.” Hoxha shprehu pak besim tek policia dhe e vlerësoi denoncimin e PD-së në SPAK. “Një hetim i saktë e zbulon nëse kishte armë apo jo. Nuk jam i prirur të besoj njoftimet e policisë.”
Baçi vijoi me akuza ndaj forcave të FNSH-së, duke thënë se “hyrja e tyre ishte e qëllimshme” dhe se “deputetët u irrituan me policin që nxori armën.” Ai kritikoi Gardën, duke theksuar se “sot mbrojtën veten, jo ne,” dhe se situata ishte “e paprecedent.”
Hoxha analizoi situatën politike, duke thënë se “Rama po bën një lojë me opozitën, duke dërguar forca të shumta policie.” Ai e krahasoi këtë me protestat e 2019-ës, ku sipas tij, “Edi Rama i nxirrte përpara policë femra për t’i zhvlerësuar.”
Ai përfundoi duke thënë se kjo situatë krijon një atmosferë nervozizmi dhe dëshpërimi mes opozitës, duke sugjeruar se “nëse kanë 10 mijë veta jashtë gardhit, gjëja kthehet në serioze.”


