Të dënuar në Qeveri? Dyshimet e Metës për ministrat e Ramës, Prokuroria kryen verifikimet

Prokuroria e Përgjithshme i ka kthyer përgjigje Presidentit Ilir Meta pas verifikimeve lidhur me emrat e ministrave të kabinetit të ri qeverisës.
“Asnjë nga emrat e qeverisë nuk është proceduar. Asnjë nga emrat e emëruar s’ka probleme”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë ndaj kreut të shtetit.
Ndërkohë, Presidenti Meta pret një përgjigje nga SPAK, për anëtarët e qeverisë.
Me të marrë propozimet e kryeministrit Edi Rama, kreu i shtetit iu drejtua Prokurorisë së Përgjithshme për të kërkuar verifikim të emrave në lidhje me akuza apo procese penale ndaj tyre.
Në shkresën drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, sekretarja e Përgjithshme e Presidencës, Ornela Zonja, kërkon informacion me përmbajtje penale ndaj emrave të ministrave të rinj.
Këtë kompetencë të Presidentit, sekretarja e Përgjithshme e bazon në nenin 92 pika h të Kushtetutës, ku thuhet se Presidenti i Republikës “kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre”.
Presidenti i Republikës do të duhet të shprehet mbi këto emërime brenda 7 ditëve nga administrimi i propozimit prej Kryeministrit Rama.


