Braçe: Nuk më shqetëson nëpunësi i administratës në shesh, por arsyeja pse del aty

Deputeti Erion Braçe ka reaguar për fenomenin e presionit dhe ndikimit të drejtuesve në administratën publike, duke e cilësuar atë si një problem që dëmton institucionet.
Braçe u shpreh se prania e punonjësve të administratës në protesta apo tubime nuk është ajo që e shqetëson, por arsyeja që i çon ata aty. Sipas tij, problemi lidhet me atë që ai e quajti “drejtorokraci” – mënyrën se si disa drejtues sillen me vartësit e tyre.
“Po, mund të ketë edhe nëpunës administrate në shesh; nuk më shqetëson kjo. Më shqetëson arsyeja pse një nëpunës administrate del në shesh”, u shpreh Braçe.
Ai solli në vëmendje edhe rritjen e pagave në sektorin publik, duke thënë se paga mesatare është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2013.
“E kemi gjetur pagën mesatare në sektorin publik në vitin 2013 në 371.8 euro; e kemi në tremujorin e parë të vitit 2026 në 1.094 euro. Plani buxhetor është që këto të ardhura të vijojnë të rriten ende”, deklaroi ai.
Sipas Braçes, pavarësisht përmirësimeve ekonomike, sjellja e disa drejtuesve në administratë mbetet një shqetësim.
Reagimi i Erion Braçes
PO, MUND TË KETË EDHE NËPUNËS ADMINISTRATE NË SHESH; NUK MË SHQETËSON KJO! MË SHQETËSON ARSYEJA PSE NJË NËPUNËS ADMINISTRATE DEL NË SHESH. UNË E KAM NJË ARSYE: ËSHTË DREJTOROKRACIA!
Shikoni, është e pakrahasueshme ajo që kemi bërë me të ardhurat e sektorit publik. E kemi gjetur pagën mesatare në sektorin publik, në vitin 2013, 371.8 euro; e kemi në tremujorin e parë të vitit 2026, 1.094 euro.
Plani buxhetor është që këto të ardhura të vijojnë të rriten ende.
ATËHERË, Ç'PO NDODH?
Unë mendoj se është DREJTOROKRACIA – sjellja e drejtorëve me nëpunësit. Janë këta që i blejnë nëpunësit, i bëjnë pjesë të korrupsionit, i përfshijnë në vendimmarrje të paligjshme. Kur nuk binden, sillen si harbutë me ta, ua nxijnë ditën e punës, që në fakt është edhe dita e jetës.
Jo të gjithë, natyrisht. Ka mes tyre drejtues prej meritës, profesionalizmit, ndershmërisë e dinjitetit. Por ata që e bëjnë mjaftojnë për të nxirë gjithçka, për më tepër kur qarkullojnë e nuk i nxjerr kush nga rrethi i drejtorokracisë.


