“Behar Bajrin e arrestuan francezët!”, Noka: Shefat e komisariateve shërbenin si spiunë të bandave dhe Pëllumb Gjokës

Politikë

“Behar Bajrin e arrestuan francezët!”, Noka: Shefat e

Tre ditë më parë, 43 vjeçari, Behar Bajri, i dyshuar për tentativë vrasje, vrasje si dhe pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal, ra në prangat e Policisë. Ndonëse, i larguar nga Shqipëria Behar Bajri kërkohej nga SPAK në dosjen ‘Metamorfoza’.

Ditën e sotme, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike së Rithemelimit, Flamur Noka përmes një deklarate për mediat ka komentuar jo vetëm arrestimin e Bajrit, por edhe përfshirjen e Policisë shqiptare në këtë operacion.


Sipas Nokës, Bajri është arrestuar nga francezët, e ndërsa policia shqiptare në fakt është kthyer në shërbëtore të krimit.

Deklarata e sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike së Rithemelimit, Flamur Noka:

“Arrestimi nga policia franceze i killerit me pagesë Behar Bajri është një lajm i mirë për Shkodrën dhe sigurinë e qytetarëve të saj.

Partia Demokratike përgëzon shërbimet e sigurisë dhe rendit të Francës për arrestimin e një prej rrezikuesve më të mëdhenj të sigurisë, jetës dhe qetësisë në Shqipëri, i përfshirë në krime kundër personit dhe në krime zgjedhore.


Opinionit publik i kujtojmë se pa shërbimet e sigurisë apo të inteligjencës së vendeve partnere nuk do të kishte ndodhur ky arrestim, dhe as shumë të tjerë para tij. Kriminelët dhe zyrtarët e lartë të inkriminuar që gjenden pas hekurave sot janë punë e prokurorive dhe policive belge, austriake, italiane, franceze apo gjermane.

Që nga dosja e Saimir Tahirit e këtej, çdo zhvillim domethënës në kapjen e elementëve të inkriminuar ka vulën dhe vullnetin e vendeve partnere.

Policia jonë, fatkeqësisht është kthyer në shërbëtore të krimit, në korrier dhe truprojë e killerave. Prokuroria zhduk provat, ndërsa gjykata i liron. Behar Bajri i arrestuar nga francezët është shembulli më tipik i rënies së shtetit përballë krimit, i bashkëpunimit të pushtetit me kriminelet.

Kur sheh dhe lexon komunikatën e Policisë së Shtetit, ku del se operacioni për kapjen e tij ishte një ndërmarrje shqiptaro-franceze, e kupton se sa poshtë e ka ulur Taulant Balla prestigjin dhe uniformën e ruajtësve të rendit.

Është dy herë fyese për publikun që nuk ka harruar dhe e ka parë në dosjen ‘Metamorfoza’ se si shefa komisariatesh apo nëndrejtorë policie, shërbenin si spiunë të Bajrëve dhe Pëllumb Gjokës. Ndërkohë që kapitujt e dosjes po zbardhen një e nga një, dhe ngjarja është ende e freskët, Policia del e thotë se e kapën ata Bajrin.

Nga shqiptarët nuk u vjen turp, por as edhe nga kolegët e tyre francezë apo nga ambasada e Francës këtu.

Policia franceze thotë se e kanë kapur Bajrin në Strasburg, policia shqiptare thotë se u kap në Paris. Francezët thonë në lokal, tanët në banesë.

Po të kishin qenë të përfshirë në operacion, siç pretendojnë, të paktën do të dinin vendin ku u kap Bajri.

Nuk kanë qenë dhe as kanë dashur që Bajri të kapet, sepse arrestimi i tij do të thotë dalja e informacioneve të tjera anti-ligjore ku janë përfshirë policë, shefa policie dhe drejtues të shtetit.

Meqë francezët e paketuan Bajrin, Policia, Prokuroria dhe gjykatat kanë vetëm një detyrë: të mos e përcjellin sërish, siç e kanë zakon.”

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion