Bajram Begaj thirrje klasës politike: Merrni shembull atdhetarët e 1912, zgjedhjet e ardhshme të jenë model

Politikë
Bajram Begaj thirrje klasës politike: Merrni shembull atdhetarët e

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka organizuar një pritje zyrtare në ambientet e institucionit ku ka ftuar përfaqësuesit më të lartë të shtetit shqiptar, Kosovës dhe miqtë e Shqipërisë, të akredituar në Tiranë. Në këtë ceremoni për 112 vjetorin e Pavarësisë, ai i ka dërguar dhe një mesazh klasës politike.

"Zonja dhe zotërinj, Atdhetarët patriotë 1912 vite më parë  treguan guxim dhe vizion. Ata lanë pas ndasitë për një qëllim dhe mision të madh: Shqipërinë e pavarur. Sot, më shumë se kurrë, politika duhet të ndjekë shembullin e tyre.

Klasa politike duhet të jetë në një dialog të hapur me popullin, të dëgjojë shqetësimet, nevojat dhe ëndrrat e tij. Kthejini sytë nga ata që përfaqësoni!

Zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë shembull i një faqeje të re, ku interesi i qytetarit dhe shërbimi publik ndaj tij vihet mbi gjithçka tjetër. Kjo është mënyra për të nderuar ata që shpallën pavarësinë dhe për të ndërtuar një Shqipëri që e meriton vendin në Evropë", është shprehur ai.

Presidenti Bajram Begaj ka folur dhe për hapjen e kapitujve të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, duke theksuar se ai është më shumë se një proces teknik, është një test i pjekurisë tonë kombëtare.

"Ky proces kërkon të forcojmë institucionet, të mbështesim drejtësinë dhe SPAK-un, të përmirësojmë cilësinë e jetesës së qytetarëve tanë dhe të ndërtojmë një Shqipëri të denjë për shqiptarët dhe për familjen evropiane. Është koha për t’u bërë bashkë dhe për të ecur drejt ëndrrës gjithnjë e më të prekshme evropiane", tha Presidenti.

Bajram Begaj në cilësinë e Kreut të Shtetit ka nisur ditë më parë takimet zyrtare me përfaqësuesit e partive politike, për të biseduar me ta për datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Siç është folur në media, ato mund të mbahen mes 4 dhe 11 Majit 2025.

ME TE LEXUARAT