Avokatët amerikanë ndalohen ta takojnë Erion Veliajn në burg

Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, Joshua Roberts dhe Danniel Fetterman prej mëse një ore po qëndrojnë jashtë dyerve të burgut në Durrës pasi autoritetet e burgut nuk e lejojnë te takojnë klientin e tyre.
Deri më tani nuk është dhënë asnje shpjegim, ndërkohë që ata kërkojnë të takojnë Veliajn nje ditë para seancës gjyqësore.
Ndalimi i këtij takimi mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në procesin ligjor dhe mund të krijojë dyshime mbi ndershmërinë e procedurës.
Prej një muaji në qeli, nesër në Apelin e Posaçëm do të mbahet seanca për ankimin e masës së sigurisë arrest me burg nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Ky i fundit, në një reagim të radhës në rrjetin social Facebook, shkruan se nesër do të rikthehet për të mbrojtur veten.
Veliaj thotë se shpallja “i dënuar” pa gjyq që në nisje, ndodhte në ditët më të errëta të ferrit komunist, por jo në një demokraci europiane.
Kryebashkiaku Veliaj ndalet edhe në akuza ndaj prokurorit Ols Dado, kur thotë se persekutimi i familjes nga noter në konflikt interesi nuk mund të jetë etalon i reformës në drejtësi.
Më tej, Veliaj shkruan se vettingu i paligjshëm, për 20 vite jetë, bëhej vetëm në kohën e ‘Sali Enverit’.


