Arrihet marrëveshja për pensionet me Italinë

Njohja e sigurimeve shoqërore për mijëra emigrantë shqiptarë të cilët prej vitesh jetojnë dhe punojnë në Itali do të ndodhe shumë shpejt.
Shqipëria dhe Italia do të finalizojnë të martën marrëveshjen për njohjen reciproke të kontributeve për sigurimet shoqërore, nga e cila do të përfitojnë edhe të gjithë ata italianë që jetojnë në vendin tonë.
Marrëveshja do të nënshkruhet nga ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani dhe homologu i tij shqiptar, Igli Hasani gjatë vizitës dy ditore që ky i fundit do të zhvillojë të hënën dhe të martën në Itali.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme bën të ditur se marrëveshja vjen si një detyrim dhe e drejtë ndaj qytetarëve shqiptarë, italianë dhe italo-shqiptarë, të cilët kanë punuar me përkushtim për 30 vjet dhe kanë kontribuar në ekonominë dhe përparimin social të të dy vendeve tona.
Përmes marrëveshjes, do të mbulohen pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet, si dhe sigurimin për papunësinë si për shqiptarët që jetojnë në Itali, ashtu edhe për shtetasit italianë që jetojnë e punojnë në Shqipëri dhe derdhin kontributet e tyre këtu.
Janë rreth 500 mijë qytetarë shqiptarë emigrantë që jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj, që pritet të përfitojnë nga njohja e sistemit të pensioneve mes dy shteteve.
Pas firmosjes, marrëveshja para se të hyjë në fuqi duhet të kalojë për ratifikim në Kuvendet respektive.
AXHENDA E VIZITËS NË ITALI TË MINISTRIT IGLI HASANI:
Më 5 shkurt,
– Ora 11:00 – Ministri Hasani do të zhvillojë një takim me Presidentin e Komisionit për Politikat e Bashkimit Evropian, Giulio Terzi di Sant’Agata.
– Ora 16:30 – Takim i Ministrave të Jashtëm të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” dhe MPJ-ve të Ballkanit Perëndimor, me ftesë të zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani.
Më 6 shkurt,
– Ora 10:00 – Takim me homologun italian, Antonio Tajani dhe firmosja e marrëveshjes për sigurimet shoqërore.
– Ora 11.00 Deklaratë për median e dy ministrave.
– Ora 14:30 – Takim me Presidentin e Komisionit të Çështjeve Evropiane, Alessandro Giglio Vigna.


