Policia paralajmëron protestuesit: Distancohuni nga dhuna! Rrezikoni deri në 7 vite burgim

Aktualitet

Policia paralajmëron protestuesit: Distancohuni nga dhuna! Rrezikoni deri

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje protestuesve që të distancohen nga aktet e dhunës. Në një njoftim publik për mediat, uniformat blu theksojnë se kushdo që dëmton pronën private dhe publike, do dënohet sipas Kodit Penal, deri në 7 vite burgim.

Njoftimi i plotë:

Nisur nga përshkallëzimi i dhunës ndaj punonjësve të Policisë dhe shkatërrimi me zjarr i pronës publike dhe private, Policia e Shtetit iu bën thirrje të përsëritura dhe të forta të gjithë pjesëmarrësve në tubim, të ruajnë vetëpërmbajtjen dhe qetësinë, si dhe të distancohen menjëherë dhe në mënyrë të qartë, nga personat që kryejnë akte dhune, djegie dhe sulme ndaj punonjësve të Policisë.

Policia e Shtetit kërkon që çdo pjesëmarrës të mos bëhet pjesë, të mos mbështesë dhe të mos lejojë që tubimi të përdoret si mbulesë për akte të dhunshme dhe shkatërruese. Çdo person që ushtron dhunë, djeg apo shkatërron pronën, ose sulmon punonjësit e Policisë, mban përgjegjësi individuale dhe do të përballet me ligjin, në përputhje me veprën e kryer.

Kodi Penal parashikon dënime deri në 7 vjet burgim për vepra të caktuara që lidhen me dhunën dhe shkatërrimin e pronës me zjarr, në varësi të rrethanave dhe pasojave të shkaktuara.

Veprimet e dhunshme dhe shkatërrimi i pronës me zjarr rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, si dhe pronën publike dhe private.

Distancohuni menjëherë nga dhuna, largohuni nga personat që kryejnë akte të dhunshme dhe mos u përfshini në veprime që rrezikojnë jetën e njerëzve! Ruajtja e qetësisë dhe e sigurisë është përgjegjësi e gjithsecilit.

E drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna dhe shkatërrimi nuk janë pjesë e saj. Çdo shkelje e ligjit do të trajtohet me vendosmëri dhe çdo individ do të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij.

ME TE LEXUARAT