Paralajmërimi frikësues i shkencëtarëve, shkëmbinjtë koralorë mund të shemben brenda 50 viteve

Pothuajse të gjitha ekosistemet e shkëmbinjve koralorë në botë përballen me rrezik të lartë kolapsi gjatë 50 viteve të ardhshme, kryesisht për shkak të ngrohjes së oqeaneve dhe valëve të të nxehtit, sipas një vlerësimi global.
Në kuadër të konferencës së OKB-së për biodiversitetin të zhvilluar në Shqipëri, Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) njoftoi se 96% e ekosistemeve të shkëmbinjve koralorë në ujëra të cekëta janë tashmë në rrezik kritik dhe mund të zhduken deri në vitin 2075.
Shkëmbinjtë koralorë janë jetikë për peshkimin dhe turizmin, ndërsa mbrojnë brigjet nga erozioni dhe stuhitë. Të njohur edhe si “pyjet tropikale të detit”, ata strehojnë një të katërtën e specieve detare dhe mbështesin komunitetet dhe bizneset bregdetare.
Ndër ekosistemet e klasifikuara në rrezik kritik janë edhe disa nga më të njohurat në botë: Barriera e Madhe Koralore në Australi, Trekëndëshi Koralor në Paqësorin Perëndimor dhe Azinë Juglindore, sistemi i barrierës koralore mesoamerikane dhe shkëmbinjtë koralorë të Detit të Kuq.
Rreziku i kolapsit po përshkallëzohet, por ky duhet të jetë një alarm për veprim, jo shkak për dëshpërim, deklaroi Mishal Gudka, drejtuesi shkencor i vlerësimit të parë global të Listës së Kuqe të IUCN-së për ekosistemet koralore.
Sipas tij, koralet kanë treguar aftësi të jashtëzakonshme për t’u rimëkëmbur pas episodeve shkatërrimtare të zbardhjes, ndaj zonat më rezistente mund të mbijetojnë nëse mbrohen.
Kur një ekosistem koralor shembet, koralet e forta zhduken dhe zëvendësohen nga algat, mbetjet shkëmbore dhe sfungjerët. Kjo sjell humbjen e habitatit për shumë specie, nga jovertebrorët e vegjël te peshqit.
Vlerësimi mbulon 127 ekorajone tropikale dhe subtropikale, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 188 362 kilometrash katrorë shkëmbinjsh koralorë.
Ndryshimet klimatike identifikohen si kërcënimi më i vazhdueshëm për përkeqësimin e gjendjes së tyre në mbarë botën.
Një studim tjetër i IUCN-së, i botuar një javë më parë në revistën “Nature”, tregoi se gati 44% e specieve të koraleve që ndërtojnë shkëmbinj nënujorë përballen me rrezik të shtuar zhdukjeje.
Ndërkohë, të dhënat e publikuara një vit më parë treguan se zbardhja e dëmshme kishte prekur 84% të shkëmbinjve koralorë të oqeaneve, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
Viti 2024 ishte më i nxehti i regjistruar në planet. Temperatura mesatare vjetore e sipërfaqes së oqeaneve jashtë rajoneve polare arriti rekordin 20,87 gradë Celsius.
Përveç uljes së emetimeve globale, ekspertët kërkojnë kufizimin e ndotjes, mbipeshkimit dhe ndërtimeve në brigje.
Drejtoresha e përgjithshme e IUCN-së, Grethel Aguilar, bëri thirrje për mbrojtje dhe restaurim më të fortë, si dhe investime të qëndrueshme në ekosistemet bregdetare.
Andrew Baker nga Universiteti i Miamit, theksoi se teknologjitë e reja dhe metodat novatore të restaurimit mund t’u japin koraleve kohën e nevojshme për të mbijetuar.


