Nga diskutimi me Ramiz Alinë te refuzimi ndaj Ramës, Shakohoxha: Nuk e di pse s’pranohet ky dialog

Politikë

Nga diskutimi me Ramiz Alinë te refuzimi ndaj Ramës, Shakohoxha: Nuk e

Në dhjetor të vitit 1990, ata dolën në rrugë për të kërkuar lirinë, demokracinë dhe fundin e një regjimi që për 45 vjet kishte shtypur të drejtat e shqiptarëve.

Demokracia u shkrua nga të rinjtë e asaj kohe, ku një rol të rëndësishëm mes të gjithëve pati studenti i Drejtësisë Azem Hajdari, i njohur ndryshe si lideri i Dhjetorit.

Pas pamjeve të dhunës, vajza e tij, Rudina Hajdari, u kërkoi protestuesve të pranojnë ftesën e kryeministrit Edi Rama për dialog.

Ish-anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike ka ndarë foton e të atit, Azem Hajdarit, me të rinj të tjerë në dhjetor të vitit 1990, në një takim me Ramiz Alinë. Ajo shprehet se, në një rast të tillë, do të ishte e para që do ta pranonte ftesën për dialog.

Sot, 36 vite më vonë, një tjetër brez ngre zërin në rrugë, këtë herë përballë një realiteti tjetër politik, por me të njëjtën kërkesë për ndryshim. Por ndryshe nga të rinjtë e së shkuarës, studentët sot refuzojnë të dialogojnë. Ndërkohë, nëse kthehemi pas në kohë, studentët e diktaturës ftesën për t’u dëgjuar nga presidenti i regjimit komunist, Ramiz Alia, e pranuan menjëherë, duke e parë edhe si të vetmen rrugë për të arritur qëllimin e tyre, demokracinë.

Një nga studentët e Dhjetorit 1990, Dritan Shakohoxha, thotë për “Exclusive”, me Rudina Muçën, se nuk e kupton arsyen e refuzimit të dialogut nga studentët e sotëm, duke theksuar se përballja me ta është gjithmonë e humbur.

Ai u bën thirrje të rinjve të ruajnë qëllimet e tyre dhe të mos lejojnë që protesta të përfshihet nga interesa të tjera, pasi, sipas tij, sinqeriteti dhe ëndrrat janë forca më e madhe e një lëvizjeje studentore.

“Të gjithë e dinin se kushdo që do të luftonte me studentët ishte i humbur, sepse studentët nuk ishin thjesht individë, por përfaqësonin të gjithë Shqipërinë. U deshëm ne që ta përshpejtonim atë proces, të bënim hapin e fundit drejt ndryshimit të sistemit. Dhe duhej rinia e tyre, energjia e tyre, sinqeriteti i tyre dhe guximi i tyre.

Gjërat rrodhën shumë shpejt. Kam marrë pjesë në grevën e urisë dhe më pas u formua PD-ja.

U tha se do të kishim një takim me Ramiz Alinë dhe na bënë të ditur se çdo shkollë do të kishte katër përfaqësues, por më pas u zgjodhën dy, pasi salla ishte e vogël. Unë isha përfaqësues i Institutit të Fizkulturës.

Dëshira e madhe e njerëzve ishte të kërkonin pluralizmin, të krijonin parti të tjera dhe të shkarkohej ministri i Brendshëm. Por, në fund, mësuam se pluralizmi ishte vendosur, ndërsa Ramizi nuk e lëshoi ministrin e Brendshëm.

Unë nuk e di pse refuzohet ky dialog. Ajo që di të them është se lufta kundër studentëve është gjithmonë e humbur.

Uroj që studentët të mos i ndryshojnë qëllimet e tyre për interesa të tjera. Pra, të mos përfshijnë njerëz të tjerë, sepse studentët janë më të sinqertët dhe nuk kanë interesa, por ëndrra”, tha Shakohoxha.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion