Nga Berisha te Rusia dhe Irani! Rama flet për atë që beson se fshihet pas protestave

Politikë

Nga Berisha te Rusia dhe Irani! Rama flet për atë që beson se

Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e kësaj të diele me një reagim nga zyra e tij, sa i takon protestave të ditëve të fundit.

“Dëmet nuk janë të vogla, por rregullohen”, deklaroi ai, ndërsa theksoi se është përpjekur të mos bjerë në kurthin e dhunës së verbër që kërkon gjak.

Me një gur në dorë, u shpreh “se ajo armë mund të bëhet edhe vdekjeprurëse”. Sipas tij, nuk janë studentët ata që protestojnë, por një “grup zjarri i paguar”.

“Unë dua që ta nënvizoj këtë me shumë forcë, familjet e atyre djemve dhe vajzave, burrave dhe grave që janë me uniformë dhe nën uniformë marrin këtë dhuratë (për gurin) në breshëri, pa pushim! Me orë e orë të tëra, ndërkohë që në ekrane demonizohen si autorë të dhunës, janë familje që jetojnë me të ardhura shumë modeste, për sakrificën dhe qëndresën e këtyre heronjve të shtetit.

Në këto orë që nuk po sfidohem unë, qeveria, një shumicë qeverisëse, por një rrugë, një mision, një objektiv! Sfidohet Shqipëria europiane, Shqipëria e Bashkimit Europian e vitit 2030”, tha kreu i qeverisë referuar punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë qenë në përballje frontale me protestuesit.

Ritheksoi me bindje se personi që qëndron pas protestave të dhunshme është kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

“Ai matuf që del e bën thirrje për dhunë nga mëngjesi deri në darkë dhe nga ata rreth tij, që janë njësoj si ai, të tredhur dhe agresivë.”

“Me keqardhje të madhe them se kjo rini dhe këta studentë që janë në bulevard, janë pengje të atij grupit të zjarrit atje në krye. Të atyre me maska! Përdoren gjerësisht edhe të miturit, si ato mburojat për të përparuar, për të marrë terren, duke ia bërë të pamundur shtetit që të reagojë me forcë, me fëmijë të vegjël…Aty brenda është edhe krimi! Para dy ditësh është neutralizuar një dron me eksploziv, i destinuar të godiste Kryeministrinë duke i vënë zjarrin oborrit të brendshëm ku është ajo ngrehina e drurit dhe një Zot e di me çfarë pasojash. Nuk ka rini që i shkon mendja për këtë plan, kjo është një dorë e huaj”, shtoi numri një i kabinetit.

Rama i mëshoi asaj që beson se fshihet pas kësaj revolte.

“Dje, në mënyrë të befasishme për çdokënd, por jo për mua! Foli mistifikuesi i Rusisë imperialiste, tha tani Shqipëria po tregon ngjyrën e vërtetë të saj, një popull kurajoz, ortodoks! Një dorë tjetër është Republika khomeiniste e Iranit. Në darkë mblidhen kllounët që himnizojnë dhunën në sallonet e medias tradicionale, ndër të cilët pak fare janë ata që e thonë ndonjë fjalë kundër dhunës. Mbase janë të terrorizuar dhe nuk ju vë faj, sepse erdhi momenti, por nuk ka për të ardhur dita që njerëzit të terrorizohen për atë që mendojnë.”

Së fundmi, në rrjetet sociale kanë qarkulluar aludime të shumta lidhur me praninë e shtetasve izraelitë në Shqipëri, pretendimet se pas uniformave blu fshihen ushtarë serbë, si dhe raportime për vajza të rrëmbyera.

Për Ramën, këto pretendime janë pjesë e një vale absurditetesh, duke shtuar se Izraeli është një vend mik i Shqipërisë, njësoj si Katari, me të cilin vendi ynë nuk ka marrëdhënie diplomatike.

“Njëherë thonë se do të sjellin çifutët në Vlorë, pastaj qershia mbi tortën e kësaj marrëzie janë ushtarët serbë që na paskan ardhur këtu”, u shpreh ai.

Thirrjet për largimin e tij nga detyra dhe gjuhën e përdorur në protestë e krahasoi me skenat e ndëshkimeve publike të Mesjetës.

“O në burg, o në litar! Si në ato sheshet e Mesjetës, ku njerëzit eksitohen duke parë mish njeriu në zjarr. S’jemi më në shekullin XXI. Ti do që unë të iki. Kjo është gjëja më normale në botë, por si do iki unë?! Të paktën, hajde dhe më bind pse duhet të iki, ose të të bind unë pse s’duhet të iki!”

ME TE LEXUARAT