Ndryshon ligji për investimet strategjike, qeveria propozon rregulla të reja: Ja kur toka do jepet pa garë

Aktualitet

Ndryshon ligji për investimet strategjike, qeveria propozon rregulla
Qeveria propozon ndryshimin e mënyrës së administrimit dhe vënies në dispozicion të pronave shtetërore për investime, duke parashikuar pagesa të diferencuara sipas zonave, krijimin e një fondi të posaçëm të pasurive publike dhe mundësinë që investitorët të përfitojnë prona shtetërore kufitare pa procedurë konkurruese.

Parashikimet përfshihen në projektligjin “Për investimet në Republikën e Shqipërisë”, të nxjerrë për konsultim publik më 21 tetor, i cili synon të zëvendësojë ligjin për investimet strategjike dhe atë për investimet e huaja.

Sipas nenit 14, territori do të klasifikohet në tri kategori: zona me potencial të lartë, të mesëm dhe të ulët zhvillimi. Klasifikimi do të miratohet nga Komiteti i Nxitjes së Investimeve, me propozim të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA).

Në varësi të këtij klasifikimi, neni 16 parashikon vënien në dispozicion të pronave shtetërore kundrejt pagesave të përshkallëzuara:

“Zona 1 në masën 100% të vlerës së përcaktuar;
Zona 2 në masën 50% të vlerës së përcaktuar;
Zona 3 kundrejt një tarife të reduktuar”.
Vlera do të përcaktohet sipas referencave ligjore, ndërsa metodologjia dhe kushtet e vënies në dispozicion të pronave do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Projektligji nuk përcakton shumën konkrete të tarifës së reduktuar për zonën e tretë. Një tjetër ndryshim është krijimi i Fondit të Nxitjes së Investimeve, në të cilin do të përfshihen pasuri të paluajtshme shtetërore nga zonat me potencial zhvillimi.

Neni 21 parashikon përfshirjen e pasurive shtetërore “të çdo kategorie dhe lloji”, në administrim të institucioneve publike, të cilat mund të vihen në dispozicion të projekteve sipas legjislacionit në fuqi. Përpara përfshirjes në fond, pronat duhet t’i nënshtrohen identifikimit, inventarizimit, verifikimit juridik dhe konsolidimit. Lista e tyre do të publikohet në faqen e AIDA-s.

Projektligji përcakton gjithashtu se “Legjislacioni sektorial për pasuritë shtetërore zbatohet për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe”.

Një dispozitë tjetër u jep investitorëve privatë mundësinë të kërkojnë përdorimin e pronave shtetërore që kufizohen me pasuritë e tyre.

Sipas nenit 15, kur prona shtetërore nevojitet për akses, lidhje infrastrukturore ose funksionimin e investimit, sipërfaqja e kërkuar nuk mund të tejkalojë 20% të pronës private. 

“Në këto raste, këto pasuri mund t’i vihen në dispozicion investitorit pa procedurë konkurruese”, përcakton neni, duke kërkuar certifikimin e statusit juridik nga Kadastra dhe pagesën e plotë të vlerës së pronës sipas metodologjisë përkatëse.

Po ky nen përcakton se “Për investimet në pronë private, nuk zbatohen procedurat konkurruese publike të përzgjedhjes së investimeve”.

Projektligji parashikon edhe konsolidimin e pronave në zonat e investimeve. Neni 19 detyron organin përgjegjës për Kadastrën të fillojë menjëherë regjistrimin fillestar dhe konsolidimin, nëse procedurat nuk janë kryer më parë, sipas legjislacionit në fuqi.

Ndërkohë, neni 20 ruan mundësinë e përdorimit të brigjeve për projektet e përzgjedhura, ndërsa neni 22 lejon pjesëmarrjen e shtetit në investime përmes pronave, aseteve, infrastrukturës apo mjeteve financiare. Në relacionin shpjegues, qeveria pranon se mbështetja e investimeve për çështjet e pronësisë dhe infrastrukturës ka sjellë rreziqe fiskale dhe juridike, ndaj kërkon kritere të standardizuara dhe vlerësim paraprak të kostove e përfitimeve. Rregullat e detajuara për administrimin e fondit, vlerësimin e pronave dhe procedurat e mbështetjes do të përcaktohen me akte nënligjore pas miratimit të ligjit./ Monitor/

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion