Na kanë ikur të gjithë shokët në Angli”/ Gjimnazisti: Policia na ka masakruar

Studentë dhe gjimnazistë janë mbledhur sërish në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në ditën e shtatë të protestave të tyre, duke kërkuar ndryshime dhe duke shprehur pakënaqësinë për situatën në vend.
Në një prononcim për News24, disa prej të rinjve kanë folur për dhunën që kanë përjetuar gjatë përplasjeve me policinë, ndërsa kanë ngritur shqetësimin edhe për të ardhmen e tyre në Shqipëri. Një prej gjimnazistëve ka deklaruar se nuk ka më shpresë për të ardhmen, duke akuzuar qeverinë se, sipas tij, nuk u krijon të rinjve mundësi për një jetë më të mirë.
“Nuk na jep më shpresë. Duam vetëm të largohemi. Vjedh ai dhe do një të ardhme më të mirë e na shtyp ne”, është shprehur një prej gjimnazistëve.
Një tjetër i ri, i cili pretendon se është dhunuar nga policia, ka bërë thirrje që nxënësit të bojkotojnë mësimin dhe t’i bashkohen protestës. Ai ka deklaruar gjithashtu se disa prej tyre po përballen me masa për shkak të pjesëmarrjes në tubime.
“Na kanë masakruar. Shtet komunist, kriminelë. Na kanë ikur të gjithë shokët në Angli për një jetë më të mirë. Bojkotoni mësimin dhe ejani të gjithë këtu. Nuk shohim të ardhme në Shqipëri. Po nuk iku Rama edhe këtë vit, nuk ka për të ngelur më njeri.
Na kanë përjashtuar nga shkolla sepse kemi dalë në protestë. Rama ka rënë ngushtë, jemi rinia ne”, është shprehur ai. Ndërkohë një grup efektivësh mbërritën në shesh dhe kanë kontrolluar të rinjtë.
Protestat e të rinjve në kryeqytet vijojnë prej shtatë ditësh, ndërsa në qendër të shqetësimeve të tyre janë dhuna gjatë përplasjeve me policinë, pakënaqësia ndaj qeverisë dhe mungesa e perspektivës për të ardhmen në vend.


