Meloni dërgon ushtrinë në Milano, Franca vendos orën policore pas kaosit nga protestat e dhunshme

Prej ditësh, Europa është përfshirë nga protesta massive sa i përket situatës së vështirë ekonomike. Trazirat në qytetet italiane vijojnë të mbajnë të tensionuar situatën e sigurisë. Pas përleshjeve të së shtunës në Milano, Torino dhe Bolonja, incidentet rifilluan të dielën pasdite në kryeqytetin e Lombardisë, ku rreth 2 mijë të rinj u mblodhën në zonën e Piazza Duomo dhe Via Torino.
Shumë prej tyre, të veshur me të zeza dhe kapuçë, u përfshinë në akte dhune dhe vandalizmi. Turma plaçkiti supermarkete, theu vitrina, shkatërroi tavolina e karrige në ambientet e jashtme dhe hodhi gurë e molotov, duke detyruar policinë të ndërhynte me forca të specializuara për të ndaluar trazirat, topa uji dhe automjete të blinduara.
Rreth 50 persona u shoqëruan nga policia, por vetëm 11 prej tyre ishin në moshë madhore. Kjo protestë po nxjerr në pahë një problematikë të madhe që lidhet me pjesëmarrjen e shumë minorenëve në akte dhune.
Përballë përshkallëzimit të situatës, qeveria italiane e drejtuar nga Giorgia Meloni po përgatit masa të reja sigurie. Nënsekretarja e Mbrojtjes, Isabella Rauti, njoftoi vendosjen e 500 ushtarëve në Milano, në mbështetje të operacionit “Rrugë të Sigurta”. Masa pritet të përfshihet në një dekret të ri për sigurinë urbane, që do të diskutohet në një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave.
Trazirat kanë përfshirë edhe Francën, ku autoritetet kanë vendosur orë policore në disa zona të vendit, përfshirë Parisin dhe Nicën, pas episodeve të dhunës dhe plaçkitjeve gjatë protestave antiqeveritare. Në qytetin e Lilës, masa kufizuese për qëndron në fuqi prej orës 20:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit, ndërsa tri qytete ë tjera në veri të Francës kanë ndërmarrë masa të ngjashme.
Kryeministri Sébastien Lecornu ka përjashtuar, për momentin, vendosjen e një shtetrrethimi të përgjithshëm në Paris, por nuk ka përjashtuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Qeveria franceze po i jep përparësi masave të pjesshme dhe lokale, në përpjekje për të frenuar përshkallëzimin e situatës. Qeveritë europiane, po përballen me sfida të njëpasnjëshme në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Ngjarjet në Itali dhe Francë zhvillohen në një kohë kur vala e protestave dhe pakënaqësisë sociale po përfshin vende të ndryshme të Europës, duke nxjerrë në pah tensionet mes qytetarëve dhe institucioneve. Nga kaosi në rrugët e qyteteve të mëdha tek përplasjet me forcat e rendit, situata po vendos në qendër të debatit sigurinë publike, problematikën me emigrantët, organizatat ekstremiste, të drejtën për protestë dhe mungesën e strategjisë së autoriteteve ndaj revoltës qytetare.


