“Më ndaluan 10 persona me shkopinj!” / Amerikani rrëfen momentet e frikës te protesta e studentëve: Më morën .....

Aktualitet

“Më ndaluan 10 persona me shkopinj!” / Amerikani rrëfen

Një shtetas amerikan, i identifikuar si Philip Gilpin Jr, ka rrëfyer një incident që, sipas tij, i ka ndodhur paraditen e sotme në Tiranë, në një zonë pranë qendrës së kryeqytetit. Gilpin Jr, drejtor ekzekutiv i Catalyst Story Institute, pretendon se është ndaluar nga një grup prej rreth 10 personash pa shenja dalluese, të veshur me të zeza dhe të pajisur me shkopinj.

Në dëshminë e tij, amerikani tregon se rreth orës 11:00 po kthehej në apartamentin e tij, pasi ishte takuar me një agjent të pasurive të paluajtshme për të parë ambiente të mundshme për zyra. Gjatë kalimit në sheshin kryesor, ai thotë se u afrua për të përshëndetur një grup prej pesë adoleshentësh dhe nisi të bisedonte me ta.

Sipas rrëfimit të tij, rreth tre minuta më vonë, një grup prej afro 10 burrash pa shenja identifikuese iu afrua me vrap dhe i ndaloi fizikisht ata që ndodheshin aty. Adoleshentët u shoqëruan, ndërsa ai u mbajt për t’u marrë në pyetje nga dy persona që i përshkroi si oficerë.

Gilpin Jr pretendon se njëri prej tyre i kapi kyçin e dorës, i mori telefonin dhe nisi ta kontrollonte, ndërsa personi tjetër i kërkoi dokumentin e identifikimit. Ai thotë se u prezantua si shtetas amerikan nga Bostoni dhe paraqiti patentën amerikane të drejtimit.

Sipas tij, personat që e ndaluan fotografuan dokumentin e identifikimit dhe i bënë edhe një fotografi personale. Pas rreth 10 minutash, gjatë të cilave pretendon se është ndier i kërcënuar, ai u lejua të largohej.

Në dëshminë e tij, amerikani shton se ka qenë dëshmitar edhe të tri incidenteve të tjera, ku, sipas tij, grupe të vogla personash ndalonin të rinj në shesh. Ai pretendon se këto raste kanë ndodhur brenda një distance prej rreth 15 minutash në këmbë.

Dëshmia e Philip Gilpin Jr vjen në një kohë kur në Tiranë vijojnë protestat dhe tensionet mes protestuesve dhe forcave të rendit. Rrethanat e ndalimit të pretenduar dhe identiteti i personave të përfshirë mbeten për t’u verifikuar në mënyrë të pavarur.

Postimi i plotë:

Emri im është Philip Gilpin Jr dhe jam shtetas amerikan në Shqipëri dhe drejtor ekzekutiv i Catalyst Story Institute. Këtë mëngjes, afërsisht në orën 11:00, po kthehesha në apartamentin tim pranë qendrës, pasi u takova me një agjent pasurish të paluajtshme për të parë hapësira të mundshme për zyra.

Ndërsa po ecja nëpër sheshin kryesor, kalova pranë një grupi prej 5 adoleshentësh që po bisedonin. Në njërën prej tyre i përshëndeta me dorë dhe filluam të flisnim. Përshëndetje, si jeni? Një bisedë e thjeshtë.

Rreth 3 minuta më vonë, një grup prej gati 10 burrash pa shenja dalluese, të veshur të gjithë me të zeza dhe me shkopinj, erdhën me vrap drejt nesh, na kapën fizikisht dhe na ndaluan të gjithëve. Adoleshentët u shoqëruan dhe unë u mbajta për marrje në pyetje nga dy “oficerë”.

Njëri më kapi kyçin e dorës, mori telefonin dhe filloi ta kontrollonte. Tjetri më kërkoi dokumentin tim të identifikimit. I thashë se jam amerikan nga Bostoni dhe i tregova patentën time amerikane të drejtimit.

Ata më bënë fotografi të patentës sime dhe një foto timen. Pas rreth 10 minutash përpjekjeje për kërcënim, më lanë të ikja.

Gjithashtu, vlen të përmendet se kam qenë dëshmitar i 3 incidenteve të tjera të skuadrave të vogla banditësh që endeshin nëpër shesh duke marrë çdo të ri që mund të gjenin. Të gjitha brenda një distancë prej 15 minutash në këmbë.

ME TE LEXUARAT