Mbi 130 biznese fason me detyrime tatimore të pashlyera, ProEksport Albania kërkon ndërhyrje: Rrezikohen eksportet, dhe vendet e punës

Mbi 130 biznese të industrisë fason në Shqipëri po përballen me bllokimin e mallrave në doganë për shkak të detyrimeve tatimore të papaguara. Shoqata ProEksport Albania ka ngritur shqetësimin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, duke kërkuar rishikimin e kësaj mase, e cila sipas saj mund të paralizojë aktivitetin e ndërmarrjeve prodhuese dhe eksportuese.
Në një komunikatë për mediat, shoqata thekson se praktika e bllokimit të përgjithshëm të aktivitetit doganor nuk ka një bazë ligjore të qartë dhe ngre pikëpyetje për përputhshmërinë me standardet europiane.
“Kjo praktikë nuk ka një bazë ligjore të qartë për bllokimin e përgjithshëm të aktivitetit doganor dhe ngre shqetësime për përputhshmërinë me parimet e acquis të Bashkimit Europian”, thuhet në komunikatë.
Situata është veçanërisht shqetësuese për industrinë e veshjeve dhe këpucëve, pasi lëndët e para dhe produktet e përpunuara shpesh janë pronë e klientëve të huaj dhe jo e bizneseve shqiptare që kryejnë përpunimin e tyre.
“Bllokimi i tyre mund të cenojë të drejtat e pronësisë, të ndërpresë prodhimin, të rrezikojë kontratat ndërkombëtare dhe vendet e punës”, paralajmëron ProEksport Albania.
Shoqata sqaron se nuk është kundër shlyerjes së detyrimeve ndaj shtetit, por kundërshton masat që bllokojnë aktivitetin e bizneseve dhe prekin edhe kompani të huaja që nuk kanë detyrime tatimore në Shqipëri.
“ProEksport Albania nuk kundërshton mbledhjen e detyrimeve tatimore, por masat shtrënguese që paralizojnë aktivitetin eksportues dhe dëmtojnë edhe palë të treta që nuk kanë detyrime ndaj shtetit shqiptar”, theksohet në reagim.
Përmes një shkrese të datës 7 tetor 2026, shoqata ka kërkuar sqarimin e bazës ligjore të kësaj praktike, rishikimin e saj dhe mbrojtjen e aktivitetit të ndërmarrjeve që respektojnë marrëveshjet për pagesën me këste.
“Një masë për mbledhjen e detyrimeve tatimore nuk duhet të shkatërrojë burimin e të ardhurave nga i cili këto detyrime mund të shlyhen”, thuhet në komunikatën e firmosur nga kryetari i shoqatës, Edvin Prençe.
ProEksport Albania kërkon ndërhyrje institucionale dhe një zgjidhje të menjëhershme që të garantojë mbledhjen e detyrimeve tatimore, pa cenuar pronësinë e klientëve të huaj, prodhimin, eksportet dhe vendet e punës.


