Marrëveshja për naftën ruse përplas Uashingtonin dhe Brukselin / Kallas: Qëndrim i gabuar, ndihmon Putinin

Një marrëveshje për furnizimin me naftë ruse ka krijuar një tjetër përplasje mes administratës së presidentit amerikan Donald Trump dhe Bashkimit Evropian.
Në një intervistë për Euronews, Përfaqësuesja e Lartë e BE për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, e cilësoi marrëveshjen një dhuratë për presidentin rus Vladimir Putin.
Marrëveshja parashikon furnizimin e Shteteve të Bashkuara dhe tregjeve ndërkombëtare me 300 mijë tonë naftë diesel nga Rusia.
Për administratën amerikane, një marrëveshje e tillë synon të lehtësojë presionin mbi tregjet e energjisë, në një periudhë kur çmimet e karburanteve janë rritur për shkak të tensioneve ndërkombëtare.
Por Kallas argumenton se përfitimi ekonomik i Rusisë nuk është shoqëruar me ndonjë hap konkret drejt përfundimit të luftës në Ukrainë.
Ajo ngriti shqetësimin se Moska po vazhdon dhe po intensifikon sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës ukrainase, pavarësisht përpjekjeve amerikane për të arritur një marrëveshje.
Shefja e diplomacisë evropiane kritikoi edhe mosrespektimin e armëpushimit energjetik të shpallur nga Trump, i cili synonte ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike nga të dyja palët.
Sipas Kallas, pala ruse nuk po e zbaton këtë angazhim.
Një tjetër pikë mosmarrëveshjeje lidhet me sulmet e Ukrainës ndaj rafinerive ruse.
Trump i ka kërkuar Kievit të ndalojë goditjet ndaj objekteve energjetike, ndërsa Kallas mbron të drejtën e Ukrainës për të goditur infrastrukturën që ndihmon financimin e luftës ruse.
Ajo theksoi se të ardhurat nga nafta janë një prej burimeve kryesore që mundësojnë vazhdimin e operacioneve ushtarake të Moskës.
Për këtë arsye, sipas saj, çdo marrëveshje që i sjell Rusisë të ardhura shtesë duhet të vlerësohet edhe për pasojat që ka mbi luftën.
Kallas paralajmëroi gjithashtu se Rusia nuk mund të arrijë një zgjidhje afatgjatë duke negociuar vetëm me Shtetet e Bashkuara dhe duke lënë jashtë Evropën.
Qëndrimi i saj tregon dallimet mes Uashingtonit dhe Brukselit për mënyrën e ushtrimit të presionit ndaj Moskës.
Ndërsa administrata Trump kërkon të stabilizojë tregjet e energjisë dhe të negociojë me Rusinë, Bashkimi Evropian vazhdon të mbështesë Ukrainën dhe të kërkojë që çdo marrëveshje të mos dobësojë presionin ekonomik ndaj Kremlinit.


