Lajm i rëndësishëm për bizneset e reja, çfarë është certifikata NVE? Brenda cilit afat duhet të merret?

Aktualitet

Lajm i rëndësishëm për bizneset e reja, çfarë
Qeveria miratoi dje disa shtesa dhe ndryshime në procedurat e regjistrimit dhe publikimit të të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Sipas vendimit, subjektet e biznesit do të jenë të detyruara të pajisen me certifikatën e kodit NVE, që klasifikon objektin e veprimtarisë ekonomike, nga Dhoma Ekonomike Kombëtare (DHEK). Për bizneset e reja, certifikata duhet të depozitohet në portalin “e-Albania” brenda 30 ditëve kalendarike nga regjistrimi fillestar, ndërsa kodi do të verifikohet periodikisht çdo vit.

Për subjektet ekzistuese që nuk disponojnë certifikatën, parashikohet një afat prej një viti kalendarik për depozitimin e saj, duke filluar nga momenti kur bëhen efektive dhe plotësohen kushtet teknike të sistemit dhe të ndërveprimit ndërinstitucional.

Në vendimin e Qeverisë, një tjetër detaj lidhet me depozitimin e pasqyrave financiare vjetore, i cili do të kryhet në mënyrë elektronike nëpërmjet portalit “e-Albania”.

Pas depozitimit, të dhënat do të transmetohen automatikisht nga sistemi elektronik i QKB-së te Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. QKB-ja do të kryejë verifikimin formal të dokumentacionit për plotësinë dhe përputhjen me kërkesat e përcaktuara, ndërsa aplikimet me mangësi ose pasaktësi do të refuzohen.

QKB-ja do të mundësojë lëshimin e ekstrakteve të thjeshta në format elektronik pa pagesë, përmes faqes zyrtare ose portalit “e-Albania”. Ato mund të kërkohen nga vetë subjekti ose nga çdo person tjetër i interesuar, pa kufizim.

Në vendim thuhet se ndryshimet përfshijnë edhe përcaktimin e procedurave për shkëmbimin e të dhënave me sistemin e ndërlidhjes së regjistrave tregtarë të Bashkimit Evropian (BRIS), përfshirë informacionin mbi degët, shndërrimet, bashkimet dhe ndarjet ndërkufitare të shoqërive. Këto dispozita do të hyjnë në fuqi pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. Dispozitat për depozitimin e pasqyrave financiare, certifikimin e kodit NVE, deklarimin e vendndodhjes dhe ekstraktet e regjistrit tregtar parashikohet të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027, pas plotësimit të kushteve teknike dhe të ndërveprimit ndërinstitucional.

 


 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion