Vrasja e dy vëllezërve nga dhëndri i familjes, gjendet i plagosur pas arratisë autori i dyshuar në Kosovë

Policia e Kosovës ka arrestuar tashmë autorin e dyshuar të vrasjes së dyfishtë në Malishevë, një ditë më parë.
Sot rreth orë 06:30 ai është arrestuar në fshatin Plloqicë. I dyshuari është i plagosur dhe pas ndihmës së parë në QKMF Malishevë është transferuar në QKUK për trajtim të mëtejshëm.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton opinionin publik, se lidhur me rastin e vrasjes së dyfishtë të ndodhur në fshatin Golluboc, Komuna e Malishevës, është arrestuar personi i dyshuar A.I., i cili më parë kishte qenë në arrati.Lidhur me rastin, Policia e Kosovës, në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.
Brenda afatit të paraparë ligjor, ndaj të dyshuarit A.I., do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetent”, thuhet në njoftimin e autoriteteve.
Mediat e Kosovës raportojnë se i dyshuari është dhëndri i familjes. Arma me të cilën dyshohet të jetë kryer vepra u gjet në vendngjarje.
Si ndodhi ngjarja?
Ditën e djeshme në fshatin Gullbovc të Malishevës ku dy vëllezër, Driton dhe Naim Morina u vranë me armë zjarri para shtëpisë së tyre.
Personi i dyshuar për krimin e rëndë është identifikuar si Astrit Isufi, bashkëshorti i motrës së viktimave. Kjo e fundit kishte ardhur në shtëpinë e vëllezërve për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait të tyre.
Në momentin kur ende po vinin njerëz për ngushëllim, Isufi ka shkuar për ta marrë bashkëshorten, por pasi është larguar disa metra nga oborri, është kthyer përsëri dhe ka shtënë me armë zjarri ndaj dy vëllezërve që qëndronin para derës së shtëpisë.


