Seancë urgjente në Kuvend? Deputeti i LDK-së bën kërkesën që nuk pritej

Kosovë&Rajon

Seancë urgjente në Kuvend? Deputeti i LDK-së bën
Ish kryeministri i Kosovës, aktualisht deputet i LDK-së, Avdullah Hoti, kërkon mbledhjen urgjente të Kuvendit të Kosovës për të diskutuar lidhur me vendimin Speciales në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK.

Hoti kujtoi se pavarësisht faktit që njerëzit kanë dalë në rrugët e Prishtinës për të protestuar, parlamenti ende nuk ka zhvilluar as një seancë për të shprehur qëndrimin institucional të Kosovës.

“Sot është dita e gjashtë e protestave pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë, e megjithatë ende nuk është mbledhur Kuvendi i Kosovës për të debatuar dhe shprehur qëndrimet e Grupeve Parlamentare dhe të Qeverisë ndaj këtyre zhvillimeve.

Duke respektuar plotësisht pavarësinë e sistemit gjyqësor, Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria duhet të kenë qëndrim institucional ndaj këtij aktgjykimi, i cili është i shkallës së parë dhe, rrjedhimisht, nuk është përfundimtar.

Kuvendi i Kosovës duhet të miratojë një rezolutë të re për angazhimin shtetëror të Republikës së Kosovës gjatë procesit të shqyrtimit në shkallën e dytë. Para se gjithash, Kuvendi duhet ta bëjë të qartë: askush nuk mund ta kriminalizojë luftën e popullit të Kosovës për mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe për liri”, deklaron Hoti, deputet i LDK-së.

Hoti shton më tej se Kuvendi duhet të kërkojë nga Qeveria mobilizim të plotë diplomatik me aleatët ndërkombëtarë që kanë kërkuar dhe mbështetur themelimin e Dhomave të Specializuara, në mënyrë që shqyrtimi në shkallën e dytë të jetë gjithëpërfshirës dhe të respektojë plotësisht standardet e drejtësisë. “Populli i Kosovës nuk është duke heshtur.

Ai po proteston natë e ditë në sheshin e Prishtinës. Nuk duhet të heshtin as institucionet që kanë mandat të kujdesen për ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e çdo akti që lëshohet NË EMËR TË POPULLIT TË KOSOVËS”, ishte mesazhi i tij.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion