Rrëmbimi i tre policëve të Kosovës, Albin Kurti viziton familjarët e tyre

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar familjet e tre policëve të rrëmbyer dje nga Serbia. Më konkretisht, Kurti takoi familjarët e Beqir Sefës, Rifat Zekës dhe Shemë Mustafës.
Në Mitrovicë, Kurti ka vizituar familjarët e Shemë Mustafës, përfshirë të vëllanë e tij që ishte po ashtu polic kufitar.

“Familjarët vlerësuan përkrahjen nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga populli, që po ua lehtëson barrën”, thuhet në komunikatën e Zyrës së kryeministrit.

Ndërsa, në fshatin Peran të Komunës së Podujevës, ai u prit nga familjarët e Beqir Sefës, në mesin e të cilëve ishte dhe djali i tij, që po ashtu është pjesëtar i Policisë së Kosovës në Prishtinë dhe i angazhuar në Task Forcën për veri. Po ashtu, në fshatin Letanc të Komunës së Podujevës, Kurti pastaj vazhdoi me vizitën te familja e Rifat Zekës. Ai shprehu mbështetjen dhe solidaritetin me familjen.
Policia e Kosovës ka konfirmuar të mërkurën se tre efektivë janë rrëmbyer nga forcat serbe.


