Protestat në Prishtinë dhe Hagë, BE bën thirrje për përmbajtje pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për përmbajtje pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Në një përgjigje të një zëdhënësi të BE-së, Brukseli ka thënë se e ka marrë shënim aktgjykimin dhe ka kërkuar që të gjitha palët dhe akterët në Kosovë dhe rajon të tregojnë përmbajtje.
BE-ja ka theksuar se Dhomat e Specializuara të Kosovës duhet të lejohen ta kryejnë mandatin e tyre pa ndërhyrje, duke nënvizuar se proceset gjyqësore zhvillohen mbi bazën e përgjegjësisë individuale penale.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës ushtrojnë drejtësi përmes zhvillimit të procedurave gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale. Personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë vendimin para gjyqtarëve të pavarur të apelit në një Kolegj të veçantë Apeli. BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve dhe akterëve, në Kosovë dhe rajon, për përmbajtje”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit.
BE-ja ka rikujtuar gjithashtu se autoritetet e Kosovës kanë përgjegjësi për garantimin e sigurisë së të gjitha komuniteteve dhe banorëve në vend.
Në fund, Bashkimi Evropian ka theksuar mbështetjen e tij të vazhdueshme për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke rikujtuar se ato janë themeluar përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014-2015 dhe veprojnë brenda sistemit ligjor të Kosovës.


