Ç'po ndodh në Shkup me këtë sëmundje? Shpallet epidemi në 5 komuna, 26 të infektuar

Autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut kanë shpallur epidemi të etheve të Nilit Perëndimor në pesë komuna të Shkupit, pas rritjes së numrit të rasteve dhe përkeqësimit të situatës epidemiologjike.
Masa përfshin komunat Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom, Butel dhe Ilinden.
Deri më 11 gusht janë konfirmuar 26 raste me virusin e Nilit Perëndimor, ndërsa katër persona të tjerë janë ende në proces diagnostikimi. 25 prej rasteve janë regjistruar në Shkup, ndërsa një në Veles. Sipas autoriteteve, infektimet janë kryesisht të marra brenda vendit.
Situata paraqitet më shqetësuese te pacientët e moshuar. 22 nga 26 personat e infektuar janë mbi 60 vjeç.
Në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup janë trajtuar 20 pacientë, ndërsa pesë prej tyre ndodhen në gjendje kritike dhe po mbahen në ventilim mekanik. Një 83-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa mjekët bëjnë me dije se ai vuante edhe nga sëmundje të tjera shoqëruese.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski, ka deklaruar se nuk ka vend për panik, por situata kërkon kujdes dhe përgjegjshmëri. Institucionet shëndetësore vijojnë monitorimin dhe trajtimin e rasteve të reja.
Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara dhe nuk përhapet nga personi në person. Rreth 80% e të infektuarve nuk shfaqin simptoma, ndërsa në rastet e tjera mund të shfaqen temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të përziera dhe të vjella. Në format më të rënda, virusi mund të prekë sistemin nervor qendror.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të marrin masa mbrojtëse ndaj mushkonjave, veçanërisht në orët e agimit dhe muzgut, të përdorin repelentë dhe rrjeta mbrojtëse, si dhe të shmangin grumbullimin e ujërave të ndenjura pranë banesave.