Mbyllet protesta e studentëve në Beograd

Turma në Sheshin Sllavija të Beogradit nisi të shpërndahej, pasi studentët që organizuan protestën, njoftuan se ajo ka përfunduar.
"Protesta e studentëve po përfundon. Rojet tona i kanë hequr jelekët. U bëjmë thirrje qytetarëve që të tërhiqen", shkruan organizatorët në rrjetet sociale.
Grupi i quajtur "Studentët 2.0", që i kundërshton ata, raportohet të ketë gjuajtur me gurë dhe shishe në drejtim të tyre.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha se ka bërë thirrjen e fundit për ndalimin e menjëhershëm të të gjitha sulmeve dhe provokimeve ndaj punonjësve të policisë, në të kundërtën tha se policia do të ndërhyjë dhe do t'i mbrojë efektivët e saj konform ligjit.
Në deklaratë thuhet se disa incidente dhe përleshje kanë ndodhur në disa lokacione në qendër të Beogradit "midis disa pjesëmarrësve në protestë, të cilët sulmuan vazhdimisht policët, duke u përpjekur t'i pengojnë ata në kryerjen e detyrës".


