Mbyllet gjyqi ndaj Thaçit në Hagë/ Mbrojtja kundërshton provat e prokurorisë dhe kërkon pafajësi

Kosovë&Rajon

Mbyllet gjyqi ndaj Thaçit në Hagë/ Mbrojtja kundërshton

Është mbyllur në Hagë procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të bashkëakuzuarve: Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.

Çështja lidhet me akuzat për pengimin e administrimit të drejtësisë. Në seancën përmbyllëse, Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkoi sërish që të akuzuarit të shpallen fajtorë.

Nga ana tjetër, mbrojtja kundërshtoi mënyrën se si prokuroria ka përdorur transkriptet e saj si prova për një vendim dënues.

Avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, argumentoi se fajësia nuk mund të mbështetet në mënyrë të gjerë mbi këto transkripte, pasi personat që i kanë përgatitur ato nuk janë identifikuar dhe mbrojtja nuk ka pasur mundësi t’i marrë në pyetje.

Edhe avokatët e katër të bashkëakuzuarve kërkuan pafajësi, duke pretenduar se klientët e tyre nuk kanë kryer veprat për të cilat akuzohen dhe se prokuroria nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme.

Sipas Prokurorisë së Specializuar, Thaçi dhe bashkëakuzuarit kanë ndërhyrë te dëshmitarët dhe kanë penguar administrimin e drejtësisë në lidhje me procesin që lidhet me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Pas përfundimit të procesit, trupi gjykues pritet të caktojë datën për shpalljen e aktgjykimit.

Ndërkohë, vëmendja është edhe te çështja tjetër ndaj Hashim Thaçit, që lidhet me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Për këtë proces, vendimi pritet të shpallet të mërkurën.

ME TE LEXUARAT