Lufta anti- Covid në Kosovë, ministri i shëndetësisë: Rreth 90% e rasteve janë të variantit “Delta”

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë me dije ditën e sotme se rreth 90% e rasteve të infektimit me koronavirus në vend, janë të lidhura me variantin Delta të këtij virusi. Ka qenë ministri i shëndetësisë Arben Vitia që në konferencën për media tha se 7-8% e rasteve të infektimit janë me variantin Alfa, derisa në këtë shtet nuk ka prani të varianteve Beta dhe Gama.
Në fjalën e tij, Vitia ka paralajmëruar për rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus, si pasojë e përhapjes së variantit Delta të këtij virusi. “Sot kur vendi ynë ka vaksina për secilin qytetar, dhe kur qytetarët mund të zgjedhin vaksinën, dhe kur janë hequr kategoritë e vaksinimit, nuk ka arsye të vetme për të mos u vaksinuar”, tha ai.

Aktualisht, Kosova, sipas ministrit, ka kapacitet për të vaksinuar 16 mijë deri në 20 mijë persona në ditë, mirëpo ky vend është ende larg cakut të imunizimit të 60 për qind të popullatës kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton ky virus. Mbi 130,000 qytetarë janë të vaksinuar plotësisht.


