KE rekomandon hapjen e një grupi të ri kapitujsh në negociatat me Serbinë

Kosovë&Rajon

KE rekomandon hapjen e një grupi të ri kapitujsh në negociatat me

Komisioni Evropian do t’u paraqesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian një rekomandim me shkrim, sipas të cilit Serbia është e gatshme për hapjen e klasterit 3 në negociatat e anëtarësimit, dhe do të rekomandojë që ky grup kapitujsh të hapet gjatë muajit korrik, mëson Radio Evropa e Lirë nga burime të besueshme në Bruksel.

Rekomandimi do të jetë në rendin e ditës të takimit të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, i cili është caktuar të mbahet më 8 korrik.

Serbia tashmë është përfshirë në agjendën zyrtare të këtij takimi.

Sipas burimeve të njohura me përmbajtjen e dokumentit, Komisioni Evropian do t’i vlerësojë pozitivisht ndryshimet në ligjet e diskutueshme për gjyqësorin, të miratuara nga Serbia në fund të muajit qershor.

Burimet e Radios Evropa e Lirë bëjnë të ditur se Komisioni Evropian, në letrën që do t’u paraqitet ambasadorëve të vendeve anëtare, do të përmendë edhe emërimin e anëtarëve të Organit Rregullator për Mediat Elektronike (REM) dhe funksionalizimin e plotë të tij, reformën e kornizës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it, si dhe përparimin në harmonizimin me sanksionet dhe politikën e vizave të Bashkimit Evropian.

Sipas të dhënave të fundit zyrtare, shkalla e harmonizimit të Serbisë me masat kufizuese të BE-së është 60 për qind. Megjithatë, Serbia ende nuk është harmonizuar me sanksionet që lidhen me Rusinë, Bjellorusinë dhe Kinën.

Sa i përket politikës së vizave, sipas Komisionit Evropian, Serbia ka vendosur regjim vizash për shtetasit e katër vendeve të treta, por duhet ta bëjë këtë edhe për 12 vende të tjera, në mënyrë që të harmonizohet plotësisht me politikën e vizave të Bashkimit Evropian./REL

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion