Ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala urdhërohet t’u paguajë 208 mijë euro viktimave të tij

Kosovë&Rajon

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala urdhërohet

Pjetër Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili është dënuar për krime lufte nga trupi gjykues i Gjykatës Speciale, është urdhëruar për zhdëmtim të viktimave të tij në shumën prej 208 mijë eurosh. Shala ishte dënuar me 18 vjet burgim më 16 korrik nga Gjykata e Specializuar për krime lufte e Kosovës, me seli në Hagë.

Ai është shpallur fajtor për ndalim arbitrar dhe torturë kundër së paku 18 personave, dhe në pikën e vrasjes së paligjshme kundër një personi, më ose rreth datës 5 qershor 1999, në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë. Sipas Gjykatës, viktimat kanë qenë kryesisht shqiptarë të Kosovës, që kanë pësuar dëme nga shqiptarë të tjerë të Kosovës.

Shala, i njohur me nofkën “Ujku”, është deklaruar më parë i pafajshëm për të gjitha akuzat. Në shpalljen e urdhrit për zhdëmtim më 29 nëntor 2024, gjykata konstatoi se janë tetë viktima, që do t’u takojë dëmshpërblimi.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Viktima e parë, me dëme direkte, sipas Gjykatës, është e paraparë të pranojë 100 mijë euro dëmshpërblim për dëme fizike, mendore dhe materiale. Kjo pasi sipas vendimit paraprak, me të cilin u dënua Shala, viktima e lartpërmendur ishte ndaluar arbitrarisht, me ç’rast ishte keqtrajtuar fizikisht dhe psikikisht me pasoja afatgjate.

Në anën tjetër, shuma e mbetur është ndarë në kompensime individuale dhe kolektive për shtatë viktimat e tjera, jo të drejtpërdrejta, përkatësisht familjarë të viktimave nga gjykimi i Shalës. Gjykatësja e Gjykatës Speciale, Mappie Veldt-Foglia gjatë shqiptimit të vendimit tha se sa i përket ekzekutimit, “përgjegjësia për pagesën bie ekskluzivisht te Shala”.

Megjithatë, sipas saj, nga informacionet që ka marrë paneli gjyqësor, Shala aktualisht nuk ka mundësi materiale për ta kryer këtë kompensim. Andaj, sipas gjyqtares, aktualisht mbetet e paqartë mënyra se si do të kompensohen këto viktima sipas urdhrit për zhdëmtim.

“Kosova nuk ka marrë ndonjë hap për t’u përgatitur për nevojat për të siguruar zhdëmtimet e viktimave nga rastet e Gjykatës Speciale”, tha ajo.

Gjykata Speciale ka bërë të ditur se do të caktojë një gjyqtar specifik për monitorimin e zbatimit të urdhrave për zhdëmtim, si dhe u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës të sigurojnë fonde për zhdëmtimin e viktimave sipas vendimeve të kësaj gjykate.

Shala është personi i katërt që tashmë ka marrë dënim nga kjo gjykatë, ndërsa i dyti ndaj të cilit është shqiptuar urdhër për zhdëmtim të viktimave. Më ligjin, nëpërmjet të cilit është krijuar Gjykata Speciale, parashihet që viktimat e konstatuara të krimeve brenda juridiksionit të kësaj gjykate, ta kenë të drejtën e zhdëmtimit.

Ligji parasheh që gjykata mund të shpallë urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtim apo, në disa raste, t’i udhëzojë viktimat që të ngrenë padi civile në gjykatat tjera të Kosovës. Në rastin e Pjetër Shalës, gjykata dha urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtimin e viktimave. Sipas legjislacionit aktual, ekzistojnë mundësi të vogla të kompensimit të këtyre viktimave nga buxheti i Kosovës, në qoftë se ata nuk kompensohen nga personi i dënuar, si në këtë rast. Kjo, për shkak se gjatë hartimit të ligjeve, me të cilat është themeluar Gjykata Speciale, nuk është paraparë ndonjë fond i veçantë për t’i kompensuar viktimat e mundshme që dalin nga ky proces.

E vetmja formë brenda legjislacionit të Kosovës, për këtë kompensim është përmes ligjit aktual për kompensimin e viktimave, që është ligj që përfshin të gjitha viktimat e krimeve në Kosovë, jo vetëm ato të determinuara nga Gjykata Speciale. Ky ligj parasheh që viktimat e krimeve të kryera brenda territorit të Kosovës, të mund të kompensohen nga programi shtetëror, në rastet kur për një arsye ose tjetër nuk mund të kompensohen nga personi që e ka kryer krimin ndaj tyre.

Megjithatë, brenda këtij ligji parashihen kufizime për shumat maksimale që mund të marrin viktimat individuale të krimeve. Varësisht nga lloji i dëmeve që mund të ketë pësuar viktima e një krimi, në këtë ligj parashihen shuma të kompensimit deri në 4 mijë euro dhe në raste shumë të veçanta deri në 10 mijë euro.

Këto shuma nuk mbulojnë shumat e parapara në urdhrin e zhdëmtimit për viktimat e Pjetër Shalës. Tash për tash, nuk dihet nëse viktimat kanë marrë kompensimin prej 207 mijë eurosh nga urdhri i mëparshëm për zhdëmtim në rastin e Salih Mustafës, tjetër i dënuar nga Gjykata Speciale, në vitin 2022.

Më herët, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), i cili merret me drejtësinë tranzicionale, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të krijojë një legjislacion adekuat dhe mekanizma që do të mundësonin realizimin e dëmshpërblimit për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë.

Rajoni i Ballkanit Perëndimor është përfshirë nga luftëra të përgjakshme në vitet ’90, të cilat kanë çuar në shpërbërjen e Jugosllavisë së atëhershme. Në vitin 1993 është themeluar Tribunali i Hagës, i cili ka trajtuar krimet e luftës, të kryera në këtë rajon në atë kohë. Aktakuzat e kësaj gjykate kanë përfshirë periudhën nga viti 1991 deri në vitin 2001 dhe kanë pasur në shënjestër anëtarë të grupeve të ndryshme etnike në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.

Kjo gjykatë, ndryshe nga Gjykata e tanishme Speciale e Kosovës, nuk ka shqiptuar ndonjë urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtim të viktimave, mirëpo viktimat janë udhëzuar t’u drejtohen gjykatave vendore përkatëse për të siguruar zhdëmtimin.

Sipas një raporti të vitit 2021 të publikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, qindra padi për zhdëmtim janë bërë në gjykatat në Serbi, duke kërkuar kompensim nga shteti serb për krimet e kryera gjatë luftërave të viteve ‘90.

Ky raport nuk tregon se sa raste kanë fituar dëmshpërblim në total, por kritikon gjykatat se kanë ofruar shuma të vogla për kompensim dhe kanë tejzgjatur procedurat gjyqësore për viktimat. Në anën tjetër, sipas të dhënave nga Mali i Zi, miliona euro janë paguar në emër të zhdëmtimit të viktimave të krimeve të luftës në këtë shtet.

Sa i përket Bosnje dhe Hercegovinës, ky shtet nuk ka një ligj specifik shtetëror për t’i mbështetur viktimat e luftës, përfshirë viktimat e dhunës seksuale. Në një rast të paprecedentë, një viktimë e përdhunimit seksual gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë ka arritur që përmes Komitetit të Kombeve të Bashkuara kundër Torturës, ta detyrojë shtetin e Bosnjës që t’i paguajë një dëmshpërblim prej 15 mijë eurosh./ REL

 

ME TE LEXUARAT