I nxehti s’ka fund, “piqet” Greqia/ Vazhdojnë prej disa ditësh temperaturat mbi 40 gradë, edhe shtatori do jetë “zjarr”

Greqia është përfshirë nga një valë e re dhe e zgjatur të nxehti, me temperatura që kanë kaluar 40 gradë Celsius dhe në disa zona kanë prekur edhe 41 me 42 gradë.
Ditën e shtunë, temperatura më e lartë u regjistrua në Trikala, me 40,7 gradë, ndërsa mbi 40 gradë u shënuan edhe në zona të tjera të Thesalisë dhe Greqisë Qendrore.
Masat e ajrit që kanë mbërritur mbi Greqi janë 6 deri në 8 gradë më të ngrohta se normalja e kësaj periudhe, ndërsa vala e të nxehtit pritet të zgjasë të paktën deri në mesin e javës së ardhshme. E diela konsiderohet një nga ditët më të vështira.
Në Thesali dhe Maqedoninë Qendrore, temperaturat pritet të arrijnë 39 deri në 40 gradë. Në Athinë termometri do të shënojë rreth 38 gradë, ndërsa në Selanik 37 deri në 38.Nga e hëna, temperaturat do të fillojnë të bien lehtë në veri dhe lindje të vendit, falë forcimit të erërave veriore.
Por situata do të mbetet e vështirë në Greqinë Perëndimore dhe Peloponez, ku e hëna dhe e marta mund të jenë ditët më të nxehta, me temperatura përsëri pranë 40 gradëve.
Autoritetet u bëjnë thirrje veçanërisht të moshuarve, fëmijëve dhe personave me sëmundje kronike të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të mesditës dhe të konsumojnë sa më shumë ujë. Ndërsa bashkitë kanë hapur sallat me ajër të kondicionuar për personat në nevojë.
Një rënie më e ndjeshme e temperaturave pritet nga e enjtja, kur erërat veriore në Egje mund të arrijnë 7 ballë. Megjithatë, meteorologët nuk përjashtojnë një tjetër rritje të përkohshme të temperaturave në fundjavën e ardhshme, ndërsa gjithashtu ka parashikime se edhe shtatori do të jetë një muaj i nxehtë me temperatura 2-3 gradë më lart se ato të stinës .


