Çfarë zbuluan HETIMET paraprake? 25-vjeçarja u vra në muajin e tetë të shtatzënisë. Prokuroria jep detaje

MALISHEVË - Ngjarja e rëndë tronditi fshatin Kërvasari, ku 25-vjeçarja Jetlira Foniqi humbi jetën në muajin e tetë të shtatzënisë si pasojë e plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit, ndërsa bashkëshorti i saj, 26-vjeçari, Egzon Bytyqi, është i plagosur rëndë dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës
Lidhur me ngjarjen e rëndë, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se, sipas të dhënave fillestare, Jetlira Foniqi Bytyqi, bashkëshortja e të dyshuarit, ka ndërruar jetë në QKUK si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.
Ndërkaq, Egzon Bytyqi, i cili është personi i dyshuar në këtë rast, ka pësuar po ashtu plagë të rënda nga arma e zjarrit dhe është dërguar për trajtim mjekësor.
Sipas njoftimit të QKUK-së, gjendja e tij shëndetësore vazhdon të jetë e rëndë dhe kritike për jetën.
Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa me urdhër të tij trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për kryerjen e autopsisë.
Prokuroria ka bërë të ditur se rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas informacioneve të siguruara nga mediat në Kosovë, Bytyqi dyshohet se e ka përdorur armën e babait të tij, të cilën e kishte me leje.
Ngjarja ka ndodhur në dhomën e gjumit të çiftit, ku sipas të dhënave të para janë gjetur të plagosur të dy bashkëshortët. Ata fillimisht janë trajtuar në Malishevë, ndërsa më pas janë dërguar në QKUK në Prishtinë.
Jetlira nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve. Rreth orës 01:10, Emergjenca e QKUK-së ka njoftuar për vdekjen e saj.
Egzon Bytyqi mësohet se kishte punuar për rreth shtatë vjet në Gjermani dhe ishte kthyer në Kosovë rreth një muaj para ngjarjes.
Burimet kanë pretenduar se ai kishte pasur probleme shëndetësore, përfshirë edhe probleme të shëndetit mendor.
Hetimet e mëtjeshme pritet të sqarojnë plotësisht se çfarë ka ndodhur brenda shtëpisë së çiftit.


