Ekrem Bajroviç dënohet me 12 vjet burg për krime lufte në Kosovë

Kosovë&Rajon

Ekrem Bajroviç dënohet me 12 vjet burg për krime lufte në

Gjykata në Prishtinë e ka dënuar të premten me 12 vjet burgim Ekrem Bajroviçin, në rigjykimin e tij për krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-’99.

Bajroviç u shpall fajtor përsëri për kryerjen e krimeve të luftës kundër civilëve shqiptarë në fshatrat Staradran, Zallc, Gurrakoc dhe fshatrat tjera përreth të Komunës së Istogut në fillim të vitit 1999.

Ai u dënua në rigjykim pasi rasti kundër tij ishte kthyer në rivendosje nga Gjykata Supreme vitin e kaluar.

Gjykata Themelore e kishte dënuar me 12 vjet burgim atë edhe në korrik të vitit 2024 dhe Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar atë aktgjykim duke e hedhur poshtë ankesën e palës mbrojtëse më 2025.

Megjithatë, Gjykata Supreme e pranoi ankesën e mbrojtjes më 2025 dhe e rrëzoi aktgjykimin ndaj Bajroviçit, duke thënë se disa dëshmitarë kishin deklaruar gjatë shqyrtimit gjyqësor se për këtë rast kishin dhënë deklarata edhe para autoriteteve të UNMIK-ut dhe EULEX-it, por ato nuk ndodheshin në shkresat e lëndës.

Gjykata kishte vlerësuar se këto deklarata duhej të siguroheshin dhe të shqyrtoheshin së bashku me provat e tjera.

Bajroviç ka të drejtë ankese edhe ndaj dënimit të tanishëm në Shkallë të Parë.

Për çfarë krimesh u dënua Bajroviçi?
Sipas aktgjykimit, më 7 dhe 8 maj të vitit 1999, Bajroviç mori pjesë në një aksion të forcave serbe kundër popullatës civile shqiptare në fshatrat e Istogut, civilët u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe u urdhëruan të niseshin drejt Shqipërisë.

Bajroviç i ndau burrat dhe gratë nga kolona e nisur drejt Shqipërisë, duke i plaçkitur dhe më pas forcat serbe i dërguan ata në një shtëpi në Staradran, duke i “pushkatuar të paktën 16 civilë të kombësisë shqiptare”, sipas gjykatës.

Po ashtu, sipas gjykatës, më 7 maj të 1999, Bajroviç kishte marrë pjesë në “arrestimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve të kombësisë shqiptare, ashtu që fillimisht të dëmtuarit [burrat] i ndajnë nga kolona tjetër e civilëve, u marrin të gjitha paratë dhe sendet e tjera me vlerë e pastaj që të gjithë i dërgojnë në Gurrakoc në lokalin e Sh.S., ku i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore”.

Ndërsa, më 8 maj 1999, të ndaluarit i kishin dërguar në stacionin policor në Gurrakoc, ku kolonës i printe i akuzuari Bajroviç.

Bajroviç-it, në kuadër të dënimit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, pra nga 19 tetori i vitit 2022.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.000 civilë – shumica shqiptarë – ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.

Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Kohët e fundit, autoritetet kosovare kanë arrestuar të dyshuar të shumtë dhe kanë ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte në Kosovë.

Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës, dhjetëra të dyshuar janë dënuar për këto krime para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Fillimisht pas luftës, përkatësisht nga viti 2000 dhe 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Më 2018, EULEX-i ua dorëzoi lëndët organeve vendore të drejtësisë./REL

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion