E kërkonte Interpol Tirana për kalim të paligjshëm kufiri, dhe falsifikim dokumentesh/ Shqiptarja ekstradohet nga Kosova

Një shtetase shqiptare, e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare përmes INTERPOL-it, është ekstraduar nga Kosova drejt Shqipërisë.
Ekstradimi u krye në pikën kufitare të Vërmicës nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë e Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
Sipas Policisë së Kosovës, gruaja ishte arrestuar pasi ndaj saj ishte lëshuar një urdhwr arrest ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare përmes INTERPOL-it.
Ajo kërkohet për veprat penale “ndihmë në kalim të paligjshëm kufitar” dhe “falsifikim të dokumenteve”, të cilat, sipas autoriteteve, dyshohet se janë kryer në kuadër të veprimtarisë së një grupi të strukturuar kriminal.
Pas përfundimit të procedurave, shtetasja shqiptare iu dorëzua autoriteteve kompetente të Shqipërisë, ku do të vijojnë procedurat ligjore ndaj saj.


